Afro 12 milionë euro është shuma që Qeveria vendosi t’ua marrë katër komunave veriore për të shlyer një pjesë të borxhit për rrymën e papaguar nga banorët atje.
Një pjesë të këtyre parave, Ekzekutivi e ka marrë nga Fondi Zhvillimor i Mirëbesimit, i cili është krijuar në vitin 2013 në bazë të marrëveshjes për doganat mes Kosovës dhe Serbisë.
Mirëpo, me këtë veprim nuk pajtohet Bashkimi Evropian.
Zyra e BE-së në Kosovë i ka thënë Dukagjinit se marrëveshja nuk parasheh që paratë e këtij fondi të shpenzohen për qëllime të tilla.
“Aktualisht janë në dispozicion 3.6 milionë euro për disbursimin e projekteve të reja. Pagesa e borxheve të energjisë elektrike nuk plotëson kriteret për financimin e projekteve nga Fondi i Zhvillimit, të përcaktuara në Marrëveshjen e Brukselit për mbledhjen e të ardhurave doganore të datës 17 janar 2013”, thuhet në përgjigjen e zyrës së BE-së në Kosovë.
Dukagjini ka pyetur edhe ministrinë e Financave për vlerën e saktë të marrë nga fondi për të paguar borxhin e rrymës, por tash e dy ditë, ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.
Qëllimi i këtij fondi është t’i zhvillojë dhe integrojë komunat veriore ku serbët që nga paslufta më 1999, nuk u binden vendimeve të institucioneve të Kosovës, por të strukturave paralele serbe që menaxhohen nga Serbia.