BE-ja lanson programim për fuqizimin e romëve, kërkohet angazhim nga krerët e komunave

Prishtinë | 31 Maj 2018 | 11:19 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian kanë nisur zyrtarisht në Kosovë Programin e përbashkët ROMACTED për “Promovimin e Qeverisjes së Mirë dhe Fuqizimin e Romëve në Nivel Lokal”.

Natalyia Apostolova, shefe e zyrës së BE-së në Kosovë, tha se përmes këtij projekti synohet të bëhet fuqizimi i romëve në nivelin komunal, raporton Ekonomia Online.

Ajo shtoi se projekti është shembull që tregon së Kosova është pjesë e përpjekjeve rajonale për të përmirësuar jetën e komunitetit rom.

Apostolova kërkoi bashkëpunim më të madh të institucioneve qendrore, lokale dhe shoqërisë civile sepse vlerësoi se ka ende mangësi mes komunitetit rom dhe komuniteteve tjera.

“Projekti është shembull se si Kosova është pjesë e përpjekjeve rajonale që po zhvillohen në rajon. Autoritet komunale janë në krye të shumë sfidave, përfshirë edhe përkrahjen ndaj komuniteteve. Programi është mënyrë me i afruar institucionet me romët. Inkurajoj bashkëpunim më të madh të institucioneve qendrore e lokale dhe shoqërisë civile. Ju nxis të bëni një ndryshim për romët dhe të margjinalizuarit. Ka ende një mangësi mes komunitete rome dhe jo rome”.

Apostolova deklaroi se Kosova ka kornizë ligjore, por se fjalët duhet të kthehen në vepra.

Përfaqësuesja e BE-së theksoi se ndryshimi pozitiv mund të arrihet edhe programe dhe mjete financiare. Sipas saj, ai mund të arrihet përmes ndryshimit të qëndrimit dhe rritjes së bashkëpunimit.

“Kosova ka instrumente dhe kornizën ligjore, këto fjalë duhet të përkthehen në vepra. Ndryshimi pozitiv jo gjithmonë kërkon programe dhe financime, ai mund të vijë përmes ndryshimit të qëndrimit dhe bashkëpunimit”.

Shefja e zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Isabelle Servoz – Gallucci, tha se ka pasur përmirësime në gjendjen e romëve në Kosovë, por megjithatë sipas saj, ka ende hapësirë për të bërë më shumë.

Ajo bëri të ditur se programi është rajonal dhe ka për qëllim promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të komunitetit rom, raporton EO. Galluci u bëri thirrje komunave që të bëjnë më shumë në përmirësimin e gjendjes së komunitetit rom.

“Jemi këtu sepse Këshilli i Evropës  ka të bëjë me sundimin e ligjit, duhet ti mbrojmë komunitetet bë përgjithësi, sidomos atë rom. Mbetet hapësirë për përmirësim. Falë raportit të komisionit evropian kemi pa se ka disa përmirësime. Mbrojtja e të drejtave të romëve ende lë për të dëshiruar, romët ende vuajnë. Kosova nuk është e veçantë, është trend i përgjithshëm”.

“Ky projekt është rajonal që vazhdon për tri vjet, është vegël me pa që nuk jeni vetëm, me fut aty përvojat në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të romëve. Programi ka të bëjë me përkushtimin e autoritete për të bërë më shumë për një komunitet të ndjeshëm”.

Ivan Milojeviq, drejtor i Zyrës për Çështje të Komuniteteve në kabinetin e kryeministrit, tha se ndërmarrin aktivitete standarde të cilat i përsërisin vit pas viti.

Milojeviq tha se krenohen me programin e bursave pjesë e së cilit janë edhe pjesëtarët e komunitetit rom, i cili sipas tij është lënë pas dore.

Ai bëri të ditur se këtë programi ka vetëm 50 pjesëmarrës, përgjysmë më pak se vitin e kaluar. Kjo sipas tij, është si rezultat i uljes së buxhetit nga ambasada e Norvegjisë.

“Aktiviteti me të cilin krenohemi ështe programi i bursave në të cilin kanë marrë pjesë edhe romët. Për shkak se komuniteti rom është lënë pas dore, ku të rinjtë që kanë përfunduar studimet kanë rastin që përmes konkurseve të kyçen në studimet e mëtejshme apo në tregun e punës”.

“Këtë vit i kemi vetëm 50 pjesëmarrës fatkeqësisht, është numër më i ulët për shkak se buxheti është ulur nga ambasada norvegjeze. Shpresojmë që këtë vit numri të rritet në 100. Përkrahja të kategorive të rrezikuara që kane numrin më të madh të problemeve duke mundësuar internime të vogla në amvisëri. I ftoj palët të bashkojnë forcat për të zgjidhur këtë problem në mënyrë adekuate në të ardhmen”.

Koordinatori Kombëtar për komunitete, Habit Hajredini, tha se është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi me shoqërinë civile.

Ai bëri të ditur se zhvillojnë takime tre mujore me organizata, të cilat u ndihmojnë të identifikojnë sfidat në arsim, shëndetësi e fusha tjera.

“Shumica e komunave kanë miratuar apo janë duke hartuar planet e veprimit. Ne kemi prioritet bashkëpunimin mes qeverisë dhe shoqërisë civile. Kemi takime mujore për të diskutuar për arsimin, shëndetësinë etj. Kjo ka ndihmuar në gjetjen e sfidave në këto sektorë, besojmë që kjo praktikë do të përcillet edhe në nivel lokal. Ne jemi të gatshëm për të ndihmuar komunat në trupat lokale të veprimit”.

Me këtë rast është nënshkruar edhe marrëveshja e mirëkuptimit mes kryetarëve të komunave për këtë program, raporton EO. Ky program ka për qëllim angazhimin e autoriteteve lokale në krijimin e politikave dhe veprimeve të qëndrueshme që do të ndihmojnë në fuqizim të komuniteteve.

Ky program ka për qëllim angazhimin e autoriteteve lokale në krijimin e politikave dhe veprimeve të qëndrueshme që do të ndihmojnë në fuqizim të komuniteteve rom dhe ashkali për të kontribuuar në hartimin, zbatimin dhe monitorimin e planeve të përgatitura për përmirësimin e gjendjes së përgjithshme. Qëllim tjetër është edhe fuqizimi i këtyre komuniteteve në ushtrimin e të drejtave të tyre themelore.

Programi do të zbatohet në 59 komuna të rajonit për periudhën prej 28 deri në 30 muaj deri në fund të prillit 2020. Ky program synon të përfshijë komunën e Gjakovës, Gracanicës, Mitrovicës, Lipjanit, Fushë-Kosovës, Ferizajt, Istogut, Obiliqit.

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, tha se qytetarët ndajnë fatin me të gjithë qytetarët tjerë. Ai tha se kanë buxhet të reduktuar por siguroi se do të kenë vullnet për të përkrahur komunitetet.

“Të gjithë mekanizmat e komunës kanë në program avancimin e komuniteteve. Ferizaj është kampion në përfshirjen e komunitete në nivel të qeverisjes. Ky program do të ndihmojë në fuqizimin e politikave tona për komunitetet. Ferizaj është qytet pranuar në rrugën e promovimit të të drejtave të barabarta për të gjitha komunitetet”.

“Qeveria lokale ka buxhet të reduktuar, por ju siguroj se kemi vullnetin për të realizuar planin tonë për të gjithë qytetarët. Hap konkret është themelimi i grupeve për realizimin e këtij projekti. Është koha e fundit që me angazhim serioz të arrijmë promovimin dhe shansin e barabartë për të gjitha komunitetet”.

Të ngjashme