Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut duhet të punojë për zbatimin e reformave të nevojshme për vazhdimin e procesit të anëtarësimit në Bashkim Evropian (BE), tha të enjten ambasadori i BE-së në Shkup, David Geer.
Diplomati evropian theksoi se blloku beson në formimin e një qeverie stabile, e cila do t’i përkushtohej detyrimeve që ka marrë, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.
“Ne presim formimin e një qeverie stabile e cila duhet sa më shpejtë që të formohet. Ajo që duam të shohim, pas formimit të qeverisë është që ekzekutivi i ri t’i përvesh mëngët dhe t’i zbatojë reformat që kërkohen në rrugën e integrimit drejt Bashkimit Evropian”, deklaroi Geer.
Shkupit i kërkohet prej kohësh të bëjë ndryshime kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, si popull shtetformues, të cilat janë kusht për nisjen e bisedimeve ndërmjet tij dhe Brukselit për anëtarësim në BE.
Qeveria e re – sipas kryetarit të VMRO DPMNE-së Hristijan Mickoski, i cili pritet ta marrë mandatin për formimin e ekzekutivit të ri pasi paria e tij i fitoi zgjedhjet – do të formohet në bashkëpunim me koalicionin VLEN të partive opozitare shqiptare.
Nga VMRO DPMNE-ja presin që Qeveria e re të formohet më së voni deri në javën e parë të muajit qershor.
VMRO-ja thotë se nuk është kundër përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë, por kërkon garanci se Sofja nuk do të paraqesë kërkesa të reja kundrejt Shkupit.
Ndërkohë, Geer nuk deshi t’i komentojë përplasjet mes partive politike dhe në veçanti akuzat e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) për “mos respektimin e vullnetit të shqiptarëve në zgjedhje” si dhe bojkotin e seancës kur Afrim Gashi u zgjodh kryetar i ri i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
“Unë besoj se interesi i këtij vendi është të vazhdojë në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Ne në Bashkim Evropian jemi të gatshëm të punojmë me qeverinë e re dhe të gjithë ata që mbështesin procesin e reformave, i cili është i nevojshëm për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta ndihmuar këtë vend të përparojë në rrugën drejt BE-së”, theksoi Geer.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut u konstitua më 28 maj ndërsa për kryetar të Kuvendit u zgjodh Afrim Gashi nga koalicioni VLEN.
Zgjedhja e Gashit edhe zyrtarisht konfirmon koalicionin për formimin e qeverisë së re mes VMRO DPMNE-së dhe katër partive shqiptare që përbëjnë koalicionin VLEN.
BDI-ja tha më 29 maj tha se shumica e re parlamentare dhe rrjedhimisht qeveria që do të formohet “nuk është legjitime”, pasi, sipas kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti, “zgjedhjet më 8 maj te shqiptarët janë fituar nga Fronti Evropian, i cili edhe ka legjitimitetin e votuesve shqiptar”.
Në zgjedhjet e 8 majit Fronti Evropian, që udhëhiqet nga BDI-ja, i fitoi 18 mandate, ndërsa koalicioni VLEN 14.
Kjo e fundit thotë se BDI-ja nuk mund të pretendojë në legjitimitetin e votës shqiptare pasi pjesë e Frontit Evropian janë edhe katër parti të entiteteve tjera në Maqedoninë e Veriut.