BE-ja sanksionon prodhuesin më të madh të diamanteve në Rusi

Prishtinë | 03 Jan 2024 | 13:26 | Nga Ekonomia Online

Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione ndaj gjigantit shtetëror rus të diamanteve, Alrosa, dhe ndaj shefit ekzekutiv të kësaj kompanie.

Sanksionet e 3 janarit të bllokut evropian janë pjesë e ndalesës së importeve të gurëve të çmuar të Rusisë lidhur me luftën në Ukrainë.

Në dhjetor të vitit 2023, BE-ja u pajtua që të ndalonte eksportet e diamanteve nga Rusia, përderisa ka ashpërsuar sanksionet me qëllim që të ulë edhe më tej të ardhurat e Kremlinit.

Blloku evropian shtoi Alrosan, kompaninë më të madhe në botë të diamanteve dhe të minerave, dhe shefin e saj ekzekutiv, Pavel Marinychev, e futi në listë të zezë duke i ndaluar lëvizjen në BE. Marinychevit po ashtu do t’i ngrihen asetet që ka në bllok.

BE-ja tha se kompania – e cila vlerësohet se prodhon 90 për qind të diamanteve në Rusi – “është një pjesë e rëndësishme e sektorit ekonomik që i ofron të ardhura substanciale Qeverisë” ruse.

Totali i eksporteve të diamanteve nga Rusia më 2022 arriti në 4 miliardë dollarë.

Ndalimi i procedimit të diamanteve në shtetet e treta do të hyjë në fuqi në shtator, ka thënë blloku.

Deri më tani, BE-ja ka vendosur 12 runde sanksionesh ndaj Moskës që kur Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022./REL

Të ngjashme