BE-ja: S’komentojmë individë, duhet të qartësohet kush qëndron prapa

Prishtinë | 02 Tet 2023 | 13:40 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano për sulmet terroriste të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit sërish është pyetur rreth përfshirjes së Milan Radojiçiqit në këto sulme.

Ai në konferencë për media ka refuzuar të komentoj përfshirjen e tij, duke thënë se “duhet të shohim fotografi të plotë”, edhe pse i njëjti e ka konfirmuar se ka qenë i pranishëm në këtë sulm të premten e 29 shtatorit.

“Duhet të shohim fotografitë e plota të bazuara në hetimin e duhur dhe më pas në atë moment BE-ja do të bëjë komentet dhe refuzimet. Por, në këtë fazë kjo është ende një pjesë e procesit që po ecën dhe ne nuk do të komentojmë individët, duhet të qartësohet se kush qëndron prapa”, deklaroi Stano.

“Çdo ditë është me një revolucion të ri, çdo ditë dalin prova tjera. Nuk po komentojmë çfarë sjell çdo ditë, duhet të shohim hetimin përfundimtar”.

Ai tutje ka kërkuar nga palët që të kthehen në dialog, sipas tij nëse do të kishte normalizim të marrëdhënieve mes palëve nuk do të përballeshin me situatën e 24 shtatorit.

“Dialogu ekziston prej vitesh, ne duhet të kthehemi mbrapa sepse kjo është mënyra e vetme e disponueshme për të dyja palët Serbia dhe Kosova që më në fund të arrijnë në normalizimin e marrëdhënieve. Me normalizimin e realiteteve ne nuk do të përballeshim me këtë situatë”.

Stano, ka potencuar se për ta vazhdon të jetë e rëndësishme vetëm stabilizimi i situatës mes Kosovës dhe Serbisë.

“Prioriteti i parë jo vetëm për ne, por për të gjithë është deeskalimi i situatës dhe stabilizimi i situatës. Në jemi në kontakt të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Një grup i armatosur, që sipas autoriteteve përbëhet prej rreth 30 personash, sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Të ngjashme