24 certifikata janë ndarë nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë për zyrtarët e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK), të Komisionit të Ndihmës Shtetërore (KNSH) dhe Departamentit të Ndihmës Shtetërore (DNSh), raporton Ekonomia Online.
Në ndarjen e këtyre certifikatave, u tha se synim mbetet përafrimi i legjislacionit të konkurrencës dhe ndihmës shtetërore me rregullat e BE-së, si dhe të forcojë kapacitetet operacionale të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Komisionit të Ndihmës Shtetërore dhe Departamentit të Ndihmës Shtetërore.
Drejtuesi i Ekipit të Projektit, Dr Eugene Stuart, tha se projekti ka ofruar përkrahje për këto institucione, pasi sipas tij janë të fokusuara në zhvillimin e kapacitetit institucional.
“Projekti ka ofruar përkrahje për Autoritetin e Konkurrencës dhe Komisionin e Ndihmës Shtetërore që ka filluar punën në janar të 2019 dhe në mënyrë specifike është fokusuar në zhvillimin e kapacitetit institucional dhe në ofrimin e përkrahjes për komisionin dhe autoritetin. Këtu janë të përfshira edhe disa detyra të tjera sikur se edhe puna e madhe në zhvillimin e kapacitetit në mënyrë të veçantë jemi fokusuar në trajtimet e detajuara për politikat e konkurrencës dhe rregulloren e ndihmës shtetërore”, tha Stuart.
Hillen Francke, nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se shkaku i pandemisë disa trajnime janë zhvilluar online.
“Qëllimi ynë si Zyre e BE-së që e ka përkrahë këtë projekt së ka qenë që të zhvillojmë kapacitetet administrative dhe zbatuese të të dyja institucioneve. Të Autoritetit të Konkurrencës dhe të Komisionit. Dua t’ju uroj dhe t’ju përgëzoj që keni përfundu me sukses këtë trajnim. Shumë prej trajnimeve siç e kuptoj është dashtë me i ofru online për shkak të rrethanave të pandemisë”, tha Francke.
Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kosovar i Konkurrencës, Sakip Imeri, tha se është moment i mirë që të shpërndahen certifikata për realizimin me sukses të trajnimeve në fushën e ngritjes së kapaciteteve. Imeri i përmendi tri objektivat strategjike të AKK-së.
“Autoritetit Kosovar i Konkurrencës është institucioni kryesor përgjegjës për politikën e konkurrencës si dhe përgjegjës për parandalimin dhe ndalimin e praktikave anti-kokurrente. Duke përfshirë marrëveshjet e ndaluara abuzimet me pozitat dominuese të tregut, mbikëqyrjen e përqendrimeve, bashkimeve dhe aspektet e evokimit në fushën e konkurrencës. Fuqizimi i kapaciteteve profesionale dhe administrative në funksion të zbatimit të ligjit të konkurrencës, objektivave dytë promovimi i politikave të konkurrencës dhe realizimi i obligimeve që dalin nga procesi i integrimit evropian”, tha Imeri.
Imeri tha se në këto objektiva ka rezultate konkrete dhe se synimi përfundimtar është që të zhvillohet konkurrencë e ndershme e të ofrohen më shumë zgjidhje të produkteve dhe shërbimeve më cilësore.
Kryesuesja e Komisionit të Ndihmës Shtetërore, Fortuna Haxhikadrija, tha
“Një angazhim që u zhvillua në një rrethanë në një kohë kur ishte jo pak sfiduese. Për disa muaj rresht gjatë vitit 2020 por edhe gjatë vitit 2021 ne ishim pjesë qendrore e një sërë trajnimesh afërsisht rreth 80 e kam përshtypjen dhe punëtorive që sollën një numër të konsiderueshëm ekspertësh në fushën e kontrollit të ndihmës shtetërorë duke ofruar ekspertizën më të mirë për brenda BE-së dhe njëkohësisht dhe praktikën më të mirë”.
“Për ne faktikisht ishte një mundësi e mirë për të parë këto këndvështrime dhe për të parë mundësi dhe zgjidhje të mira kur ne sfidoheshim me raste të caktuara. Ky program u zhvillua në kohën kur ne paralelisht po përafronim legjislacionin sekondar në fushën e ndihmës shtetërore me AKI dhe natyrshëm ishte një sfidë përafrimi i disa rregullave që në fakt janë shumë komplekse dhe të vështira për t’u zbatuar me raste”.