Në mungesë të ministrit Abelard Tahiri, sekretari në Ministrinë e Drejtësisë, Qemajl Marmullukaj, ka hapur ceremoninë solemne të projektit “Mbështetja e mëtejshme për shërbimet e mjekësisë ligjore në Kosovë”, financuar nga Bashkimi Evropian.
Ai ka përgëzuar drejtorin e institutit për vazhdimin e detyrës, Arsim Gërxhaliun, dhe ka kërkuar falje për mosprezencën e ministrit Tahiri në këtë hapje të projektit, raporton Ekonomia Online.
“Forcimi i sundimit të ligjit është prioritet i Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Drejtësisë dhe Bashkimit Evropian. Prandaj, si pjesë përbërëse shumë e rëndësishme e fushës së drejtësisë në përgjithësi janë edhe funksionalizimi i komponenteve ekzekutive të saj, siç është mes tjerash edhe mjekësia ligjore”, ka thënë Marmullakaj.
“Nga ky muaj kemi filluar me funksionalizimin e institutit, përkitazi me ligjin që është miratuar, dhe nga ky muaj funksionalizohen edhe profilet e ndryshme të cilët kanë munguar deri më tash në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, ka shtuar më tej ai.
Ndërsa drejtori i Institutit të Mjeksësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka kujtuar kohët kur instituti ishte nën institucione të tjera, raporton EO.
“Dita e sotme karakterizohet me ngritjen e Institutit të Mjekësisë Ligjore në nivelin e agjensionit. Gjatë periudhës së pasluftës, kemi arritë ta ndajmë Institutin e Mjekësisë Ligjore nga Ministria e Shëndetësisë. Pastaj në vitin 2008 shndërrohet në departament të mjekësisë ligjore, dhe tani me zgjedhjen e drejtorit, fillon implikimi si Institut i Mjekësisë Ligjore”, ka thënë Gërxhaliu.
Ndërkaq, janë shprehur se tashmë po synohet edhe akreditimi i institutit.
“Ky institut nevojitet të akreditohet në të ardhmen në të gjitha fushat, duke filluar prej laboratoreve”, ka thënë Gërxhaliu.
Luigi Bruse, nga Bashkimi Evropian, është shprehur i shqetësuar me performancën e stafit mjekësor, raporton EO.
“Duhet të fillojmë në një mënyrë më produktive. Është detyrë sigurisht e Ministrisë së Drejtësisë që t’i shtyjë përpara, mirëpo duhet të dimë për secilin nga stafi, sa persona trajton brenda një muaji. A është në rregull stafi, apo nuk është, sepse ata duhet të performojnë sa më mirë”.
Bruse tha se misioni kryesor i institutit është ta fitojnë besimin.
“Misioni juaj kyç është të fitoni besimin. Puna juaj nuk është e lehtë, por ju duhet ta tregoni veten. Duhet të punoni në atë mënyrë që të arrini kualitet, sepse me kualitet kualifikoheni”.
Kurse James Speers, lider i projektit, është shprehur shumë i lumtur që është pjesë e këtij projekti.
“Jam i sigurt se bashkë me ekipin tim kemi eksperiencën e duhur dhe do të japim projekt shumë efektiv, sigurisht në përputhje me ligjin në Kosovë.”