Bashkimi Evropian vlerëson se EULEX-i ka mandat ligjor për të vazhduar operacionin në Kosovë, përkundër se presidenti Hashim Thaçi nuk e ka nënshkruar shkëmbimin e letrave për të vazhduar mandatin.
Sipas zyrtarëve të BE-së, EULEX-i është në Kosovë në bazë të disa shtyllave ligjore, njëra prej tyre është plani operativ i miratuar që nga viti 2018 nga BE-ja, veprimi i përbashkët i BE-së, rezoluta 12 44 dhe shkëmbimi i letrave dhe ftesave nga vetë ana e Kosovës, raporton KOHA.
Zëdhënësi për Çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë të BE-së, Peter Stano, i tha KOHËS se EULEX-i ka mandat në bazë të së drejtës ndërkombëtare të ligjeve të Kosovës, për të vepruar në Kosovë.
Ai ka thënë se është në interes të Kosovës, të Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare të BE-së, për të forcuar institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë, dhe sipas tij, një gjë të tillë e presin edhe qytetarët e Kosovës.
Stano gjithashtu ka thënë se Kosova ka marrë obligime edhe me marrëveshjen e stabilizim asociimit për të ndihmuar në forcimin e sundimit të ligjit edhe përmes misionit të EULEX-it. Ai gjithashtu ka mirëpritur deklaratën e kryeministrit Avdullah Hoti, sipas së cilës Qeveria e Kosovës, është e gatshme dhe e përkushtuar për të zbatuar obligimet ndërkombëtare, në mesin e tyre BE-ja e sheh edhe vazhdimin e misionit të EULEX-it.