Sinjalizuesit në tërë Bashkimin Evropian do të gëzojnë mbrojtje më të madhe, në pajtim me një ligj të ri që synon inkurajimin e raportimeve për keqbërje.
Ligji që është në shqyrtim të martën kërkon se sinjalizuesit të mbrohen nga masat hakmarrëse. Ligji po ashtu parasheh krijimin e “kanaleve të sigurta”, që do t’iu mundësojë atyre të raportojnë të sigurt për shkeljet e ligjit të BE-së, raporton BBC.
Nëse miratohet, atëherë do të jetë hera e parë që sinjalizuesit sigurojnë mbrojtje në nivel të BE-së.
Rregullat më parë kanë qenë në kompetenca të shteteve anëtare, duke rezultuar me një gamë qasjesh të ndryshme.
Një marrëveshje e përkohshme rreth ligjit ishte arritur gjatë muajit të kaluar dhe ajo pritet të kalojë në Parlamentin Evropian të martën.