Ditë më parë zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq theksoi se qëndrimi i BE-së është se duhet të ketë përgjegjësi nga të gjitha palët për krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Më këtë, ajo la të kuptohet se BE e përkrah iniciativën e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli për krijimin e Tribunalit ndërkombëtar për dënimin e krimeve serbeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
“Pozita e qartë e BE-së është se duhet të ketë përgjegjësi për të gjitha krimet e kryera gjatë konflikteve në ish-Jugosllavinë e viteve të 90-të, dhe se vetëm bashkëpunim kuptimplotë rajonal dhe fqinjësia e mirë janë vendimtare për të nxitur besimin dhe për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës”, tha Kocijançiq për lajmi.net.
Duke i parë disa raportime të gabuara sa i përket kësaj çështje, sot ka reaguar Kocijançiq.“Ne dëshirojmë të sqarojmë se Bashkimi Evropian nuk është i përfshirë në nismën e fundit të Kuvendit të Kosovës për të krijuar një gjykatë të re”, ka deklaruar ajo, duke mos e mohuar se e përkrahin këtë nismë.
Tutje, ajo ka thënë se BE konsideron se kuadri ligjor ekzistues mundëson hetimin dhe ndjekjen ndaj gjithë të dyshuarve për krimet e luftës në Serbi e Kosovë.Sipas saj, ajo që nevojitet është më shumë vëmendje dhe vendosmëri nga dyja vendet, Serbia dhe Kosova.