BE nuk hap negociatat me Shqipërinë, shtyhen edhe për Maqedoninë

Prishtinë | 01 Dhj 2020 | 14:36 | Nga Ekonomia Online

Ambasadorët e BE-së kanë rënë dakord që të mos hapin negociata e anëtarësimit me Shqipërinë. Gjatë mbledhjes së sotme ata kanë vendosur që të shtyjnë hapjen e bisedimeve të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Një ditë më parë Angela Merkel deklaroi se nuk ka një afat se kur mund të hapen bisedimet me Shqipërinë.

Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm (Coreper) ra dakord në konkluzionet e tyre se Shqipëria nuk është akoma e gatshme të mbajë konferencën e parë ndërqeveritare me BE, pasi ka ende punë për të bërë për kushtet e vendosura që nga Marsi 2020. Ambasadorët vlerësuan punën e Shqipërisë mbi reformat, por theksuan se ajo duhet të tregojë më shumë përparim në përmbushjen e kushteve.

Lidhur me Maqedoninë e Veriut, u deklarua se data për konferencën e parë do të caktohet sapo vendi të zgjidhë çështjet e tij me Bullgarinë. Kujtojmë se Bullgaria ka bllokuar fillimin e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut. Ajo pretendon se gjuha maqedonase është një dialekt i bullgarishtes dhe se nuk ka asnjë pakicë maqedonase në Bullgari. Të dy deklaratat kërkohet të përfshihen në dokumentin përfundimtar që lejon fillimin e bisedimeve. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev deri më tani ka refuzuar të heqë dorë nga kërkesat.

Italia thuhet se u përpoq të zbuste ‘gjuhën e tekstit’ të konkluzioneve për Shqipërinë, por kërkesa u refuzua. Drafti i konkluzioneve të arritura sot nga ambasadorët e BE do të miratohet nga Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme, i përbërë nga ministra të punëve të jashtme dhe evropiane të vendeve anëtare të BE, në 8 dhjetor.

Të ngjashme