BE: Pajtimi në Ballkanin Perëndimor do të bëhet bazuar në ligjet tona, pa hyrë në terrene të rrezikshme

Prishtinë | 20 Pri 2021 | 20:54 | Nga Ekonomia Online

Një “letër sllovene” që thuhej të ishte e përpiluar nga kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, e që kishte mbërritur edhe në adresë të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, kishte nxitur reagime të mëdha të kundërshtarëve të prerë të lëvizjeve të reja të kufijve në Ballkanin Perëndimor.

Megjithatë pavarësisht gjithë diskutimeve, qëndrimi zyrtar i Bashkimit Evropian është që të gjitha çështjet e hapura në mes të vendeve do të zgjidhet bazuar në ligjet dhe parimet e BE’së pa u futur në aventura të rrezikshme.

“Duhet të punohet për pajtimin dhe bashkëpunimin rajonal, që është edhe logjika e procesit të integrimit evropian. Të gjitha çështjet e hapura midis vendeve duhet të adresohen në një proces që nuk hyn në terrene të rrezikshme dhe mbështetet në ligjet dhe parimet e BE”, ka thënë zëdhënësi i BE’së, Peter Stano, shkruan DW.

Një letër e tillë ku ishin përpiluar lëvizje të kufijve në Bosnje e Hercegovinë, Kosovë e Kroaci është kundërshtuar ashpër nga Gjermania e kancelares Angela Merkel.

Ministri gjerman për Evropë ka thënë se çfarëdo rivizatimi i kufijve është rrugë e rrezikshme.

Ideja e lëvizjes së kufijve mes Kosovës dhe Serbisë ishte përfolur edhe kohë më parë, megjithatë kishte hasur në kundërshtim të fortë ndërkombëtar por edhe të faktorit politik të brendshëm.

Për herë të parë publikisht për korrigjim kufijsh kishin folur ish-presidenti Hashim Thaçi e presidenti serb, Aleksander Vuçiq, gjatë forumit të Alpbachut në Austri në vitin 2018.

Të ngjashme