Bashkimi Europian po planifikon krijimin e një force të reagimit të shpejtë për, siç thuhet, përballjen me situata emergjente.
Kjo kërkesë vjen pas zhvillimeve në Afganistan ku pas dy dekada qëndrimi Shtetet e Bashkuara të Amerikës bashkë me aleatë u tërhoqën derisa vendin e morën nën kontroll talibanët.
“Situata strategjike dhe ndryshimet gjeostrategjike na tregojnë se tani neve na duhet një Europë e fuqishme. Situata në Afganistan, Libi e Lindje të Mesme na thonë që tani është koha për veprim në krijimin e Forcave Europiane për reagim të shpejtë me anë të cilave Europa reagon si partner strategjik global. Nëse nuk e bëjmë tani, më vonë do të jetë vërtetë vonë”, tha Claudio Graziano, kryetar i Komitetit Ushtarak të Bashkimit Europian.
Këto deklarata gjenerali evropian i dha në margjinat e takimit joformal të ministrave të Mbrojtjes së Bashkimit Europian që ka 27 shtete anëtare.
Nga ana e tij, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Josep Borell, tha se deri në tetor do të jetë gati strategjia europiane për siguri e mbrojtje.
“Duhet të shohim për një forcë më të qëndrueshme dhe të organizuar që përfshin të gjitha shtetet njëkohësisht e jo një shtet çdo muaj. Pra të gjithë së bashku, krejt kohën. Unë insistoj se nevoja më e madhe e më e fuqishme e Bashkimit Europian për mbrojtje është sot më e domosdoshme sot sesa kurrë më parë”.
Ndërsa, ministrja e Mbrojtjes së Gjermanisë, Annegret Kramp-Karrenbauer, tha se tërheqja nga Afganistani i aleatëve euroatlantikë në krye me amerikanët është humbje e madhe e perëndimit.
Ajo tha se europianët në Afganistan ishin të varur nga Amerika dhe se dështimet madhore si tha Kram-Karrenbauer, Evropa nuk duhet më t’i lejojë.