BE reagon pas suspendimit të kryetares së Gjykatës në Mitrovicë

Prishtinë | 28 Mar 2022 | 14:10 | Nga Ekonomia Online

Bashkimi Evropian është deklaruar pas vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për të suspenduar Liljana Stevanoviqin, kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, pasi e njëjta mori pjesë në një mbledhje në Beograd të thirrur nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

BE-ja ka bërë thirrje që të ulen tensionet dhe të respektohet marrëveshja për integrimin e personelit serb në sistemin gjyqësor të Kosovës, por edhe procedurat e rregullave disiplinore të Kosovës.

Zëdhënësi i BE-së për çështje të politikës së jashtme dhe siguri, Peter Stano, deklaroi për gazetarët se duhet të respekton procedurat, por po ashtu të kuptohet rëndësia e integrimit të personelit serb në sistemin gjyqësor të Kosovës.

“Kemi marrë në dijeni vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për suspendimin e përkohshëm të kryetares së Gjykatës Themelore të Mitrovicës. Personeli serb i Kosovës ishte integruar në sistemin ligjor të Kosovës më 2017 përmes një marrëveshjeje të arritur në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Ky integrim kishte mundësuar qasje në sistemin ligjor të Kosovës dhe sistemin e drejtësisë për komunitetin serb”, tha ai.

Stano shtoi se “personeli gjyqësor i integruar kryen detyra të rëndësishme nga të cilat përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë komunitetet joshumicë në Kosovë”. “BE-ja pret që autoritetet kompetente të Kosovës, por edhe të Serbisë, të respektojnë të gjitha pjesët e kësaj marrëveshje”, tha Stano.

“Procedurat disiplinore nuk janë pjesë e marrëveshjes. BE beson se autoritetet kompetente do të ndjekin procesin dhe procedurën e duhur lidhur me shqyrtimin e një rasti të tillë disiplinore. Në të njëjtën kohë, presim nga personeli i sistemit ligjor të Kosovës të veprojë në bazë të ligjeve dhe rregullave të Kosovës”, theksoi ai.

Zëdhënësi i BE-së ashtu ka përsëritur edhe thirrjen e bllokut evropian për përmbajtje nga retorika nxitëse.

“BE-ja fton Kosovën dhe Serbinë që të veprojnë më përmbajtje dhe të përmbahen nga retorika apo veprimet të cilat mund të nxisin tensione. Presim nga të dyja palët të veprojnë me përgjegjësi dhe të kontribuojnë për një atmosferë të përshtatshme për normalizimin e raporteve të tyre”, tha Stano.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në takimin e mbajtur të enjten, ka marrë vendim që ta suspendojë Liljana Stevanoviq, kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, deri në një vendim të radhës.

Suspendimi i Stevanoviqit vjen pasi ajo kishte marrë pjesë në një takim në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të tjerë të serbëve të Kosovës.

Lidhur me pjesëmarrjen e saj në këtë takim që u mbajt më 22 mars kishte pasur reagime edhe nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila kishte argumentuar se veprime të tilla cenojnë integritetin profesional dhe moral të kryetarëve të gjykatave të Kosovës.

Të ngjashme