BE-së i bëhet thirrje që t’ia pezullojë fondet Hungarisë shkaku i korrupsionit

Prishtinë | 07 Kor 2021 | 08:36 | Nga Ekonomia Online

Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, po i bëhet thirrje që t’ia pezullojë fondet Hungarisë për ta detyruar kryeministrin e këtij shteti, Viktor Orban, që t’i adresojë shqetësimet rreth politizimit të gjykatave dhe korrupsionit.

Deputetët evropianë, të cilët punojnë në komisionin e Parlamentit Evropian për kontrollimin e buxhetit, po i bëjnë thirrje shefes së Komisionit Evropian që të shfrytëzojë një ligj të ri të BE-së për t’i ngrirë pagesat për Hungarinë për shkak të “shkeljeve të rënda të sundimit të ligjit”, shkruan The Guardian.

Kjo është goditja më e re kundër kryeministrit hungarez, i cili muajin e kaluar u përball me kritika të ashpra nga liderët e BE-së rreth një ligji që i ndalon në materiale shkollore përmbajtjet që cilësohen si promovim i homoseksualizmit dhe ndryshimit të gjinisë.

Pritet që Parlamenti Evropian ta dënojë këtë ligj përmes një rezolute të enjten. Me këtë rezolutë besohet se do t’i bëhet thirrje Komisionit Evropian që të nisë një rast të shpejtë ligjor kundër Hungarisë rreth diskriminimit të komunitetit LGBT.

Një kohë të gjatë para se Kuvendi i Hungarisë ta miratonte ligjin e ri anti-LGBT, shtetet e BE-së dhe deputetët evropianë ishin alarmuar nga mënyra se si Hungaria i kishte shpenzuar fondet e Bashkimit Evropian, përfshirë një kontratë për ndriçim të rrugës, që i ishte dhënë dhëndrit të Orbanit.

Ndryshe, kryeministri Orban është akuzuar edhe për dëmtimin e gazetarisë së pavarur. Organizata “Reporterët Pa Kufij” këtë javë e shpalli atë “grabitqar të lirisë së shtypit”.

Të ngjashme