Miroslav Lajçak mund të mos jetë edhe për shumë kohë duke ndërmjetësuar në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë si i dërguar i posaçëm i Bashkimit Europian.
Nga Brukseli nuk kanë mohuar e as pohuar se Lajçak nga shtatori do të bëhet ambasador i BE-së në Zvicër, ashtu siç u raportua para pak ditësh.
Peter Stano, zëdhënësi kryesor i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, i tha Gazetës Express se nuk komentojnë spekulimet në media, por shtoi se nuk do të ketë ndryshim të afërt të kryetarëve të delegacioneve të BE-së në mbarë botën. Ai tregoi, megjithatë se rotacioni i radhës i rregullt, i cili pritet të ndodhë në shtator, do të përfshijë shefat e delegacioneve dhe zëvendëskryetarët.
“Si rregull i përgjithshëm, ne nuk përfshihemi në thashetheme dhe nuk komentojmë spekulimet në media për personelin e BE-së. Kur bëhet fjalë për emërimin e ambasadorëve të BE-së, ka parametra shumë të qartë: Procesi që çon në emërimin e një Ambasadori është i brendshëm dhe jo publik – në përputhje me praktikën ekzistuese diplomatike”, tha Stano në një përgjigje me shkrim.
“Procedura e vendosur për emërimin e Ambasadorëve parashikon që pas miratimit të emrit/emrave nga Kolegji (=Komisioni Evropian – Kolegji i Komisionerëve), Përfaqësuesi i Lartë, në cilësinë e Autoritetit Emërues, do të marrë vendimet e tij për emërimet konkrete. Secili Ambasador i emëruar i BE-së do të duhet të marrë miratimin e vendit pritës si parakusht për avancimin e procedurës së postit të tij/saj”, shtoi ai.
BE-ja do të njoftojë për ndryshimet në postet diplomatike vetëm pasi të përfundojë kjo procedurë.
“Vetëm pasi të përfundojë e gjithë kjo procedurë do të shpallim emrat dhe emërimet. Nuk ka asnjë ndryshim të afërt të kryetarëve në delegacionet tona në mbarë botën. Rotacioni i radhës i rregullt, që do të përfshijë shefat e delegacioneve dhe zëvendëskryetarët e delegacioneve, është planifikuar vetëm në gjashtë muaj, në shtator”, tha Stano.
Më 1 shtator, Miroslav Lajçak do të nisë mandatin e tij si ambasador i BE-së në kryeqytetin zviceran, Bern, raportoi Radio Evropa e Lirë të premtën. Mandati i tij si i dërguar i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi përfundon në fund të gushtit.
Pas zgjedhjeve europiane që do të mbahen në qershor, do të vendoset edhe se kush do të jetë shefi i ri i diplomacisë europiane, i cili do ta pasojë Josep Borrellin.