Bebe Rexha: Jam më e lumtur se kurrë

Prishtinë | 09 Mar 2026 | 17:24 | Nga Ekonomia Online

Këngëtarja shqiptare me famë botërore Bebe Rexha ka thënë se po kalon një periudhë shumë të mirë në jetën dhe karrierën e saj dhe se po ndihet “më e lumtur se kurrë”.

36-vjeçarja ka publikuar këngën e re “New Religion”, një këngë energjike dance në bashkëpunim me grupin britanik Faithless. Kënga e fundit nga albumi i saj i ardhshëm vizual “Dirty Blonde” është projekti i parë muzikor që ajo e publikon si artiste e pavarur në partneritet me kompaninë EMPIRE Distribution.

Në një intervistë për People, Rexha ka thënë se ndihet shumë mirë pasi ka vendosur të punojë në mënyrë të pavarur.

“… Jam më në fund e lumtur. I shoh dritat në fund të tunelit. Për një moment gjërat u bënë pak të frikshme. Tani jam më e lumtur se kurrë. Thjesht fakti që jam e rrethuar nga njerëz që vërtet kujdesen për mua e bën energjinë krejt ndryshe”, ka thënë ajo.

Kënga “New Religion” përfshin elemente nga hiti i famshëm i vitit 1995 “Insomnia” i grupit Faithless, një këngë që Rexha thotë se e ka shoqëruar që në fëmijëri.

“Kur po rritesha në New York City, axha im përpiqej të bëhej DJ dhe më kujtohet kur ma luajti këtë këngë për herë të parë. Pastaj e dëgjoja herë pas here gjatë jetës, pa e ditur saktësisht nga vinte apo kush e kishte bërë. Kur u rrita, kuptova se ishte një këngë ikonike”, ka treguar ajo.

Rexha, e cila më parë ka shkruar këngë edhe për yje si Rihanna dhe Selena Gomez, ka thënë se ideja për ta përdorur këtë këngë në projektin e saj erdhi krejt spontanisht në studio.

“As nuk më kishte shkuar në mendje ta ribëja atë këngë. Thjesht ndodhi natyrshëm kur po punonim në studio. Morëm një pjesë nga kënga, filluam të punonim rreth saj dhe thjesht po argëtoheshim. Pastaj, sigurisht, duhej të kalonim gjithë procesin për të marrë lejen nga ekipi i Faithless”, ka thënë ajo.

Të ngjashme