Hidrocentrali i Skavicës mbi lumin Drini i Zi, rreth 30 kilometra në veriperëndim të Kukësit, do t’i jepet kompanisë amerikane “Bechtel”. Të shtunën, në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit Ekonomik për Projektet dhe Blerjet, mes Qeverisë shqiptare dhe Qeverisë së SHBA-së, u nënshkrua edhe marrëveshja për ndërtimin e HC të Skavicës mes ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, dhe përfaqësuesit të kompanisë “Bechtel”, Justin Siberell.
Të pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjes ishin edhe kryeministri Edi Rama dhe nënsekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillimin Ekonomik, Energjinë dhe Mjedisin, Keith Krach. Kjo marrëveshje nënkupton se pas 10 vjetësh po rikthehet në Shqipëri kompania amerikane “Bechtel”. Firma që ndërtoi Rrugën e Kombit, autostradën “Ibrahim Rugova” dhe atë “Arbën Xhaferi”, do të ndërtojë edhe hidrocentralin e Skavicës.
“Memorandumi që nënshkruajmë sot për bashkëpunimin ekonomik mes Shqipërisë dhe SHBA-së faktikisht do të ndikojë ndjeshëm në hapjen e një kapitulli të ri për investimet e drejtpërdrejta, jo vetëm amerikane, por në tërësi të huaja në Shqipëri. Do të rrisë eksportet shqiptare, duke përmirësuar ndjeshëm bilancin tregtar dhe do të fusë në rrugën përfundimtare të realizimit një ëndërr 50-vjeçare, që është ndërtimi i HC të Skavicës, gjë që e kthen Shqipërinë nga një vend i pasur me burime hidroenergjitike, por i varur në vijimësi nga moti dhe nga importi, në një vend sovran në aspektin e prodhimit të energjisë”, ka deklaruar kryeministri Edi Rama në ceremoninë e nënshkrimit.
Ndërsa nënsekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ekonomik, Energji dhe Mjedis, Keith Krach, u shpreh entuziast për marrëveshjen.
“Jam gjithashtu i entuziazmuar të dëshmoj nënshkrimin e një marrëveshjeje mes kompanisë më të madhe të ndërtimit të Amerikës, ‘Bechtel’ dhe Shqipërisë për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës. Ky është një projekt ambicioz, shumë i nevojshëm, që të ofrojë siguri energjetike dhe përfitime mjedisore për Shqipërinë.
Nuk mendoj që mund të kishit zgjedhur një partner më të mirë për hidrocentralin tuaj, sesa firma që ndërtoi digën më të famshme në SHBA, digën Hoover dhe projekte të tjera të famshme të ndërtimit. Skavica do t’i sjellë Shqipërisë energji të pastër shtesë, që do të reduktojë përmbytjet, do ta bëjë prodhimin e energjisë shqiptare më pak të varur nga reshjet vjetore të shiut, sikurse ndatë më herët me mua. Ky projekt historik do të jetë një pasuri kombëtare për popullin e Shqipërisë dhe një që vazhdon të ndërtohet mbi lidhjet tona tashmë të ngushta”, ka deklaruar Krach.
Në dokumentin e nënshkruar theksohet rëndësia e Projektit të HEC “Skavica”, si një projekt me interes kombëtar, i cili do të mundësojë që Shqipëria të krijojë pavarësi të plotë nga importimi i energjisë dhe do ta pozicionojë këtë vend si qendër energjie për rajonin.