Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike Kosovës, Bedri Hamza ka prezantuar sloganin e tij politik, duke bërë thirrje për ndryshim dhe dhënie fund krizave në vend.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hamza ka deklaruar se slogani “Stop krizës. Ndrysho Kosovën!” përfaqëson misionin e tij politik dhe zotimin ndaj qytetarëve.
“STOP krizave politike. STOP çmimeve të larta. STOP pasigurisë, përçarjes dhe mungesës së shpresës”, ka shkruar ai.
Hamza ka theksuar se Kosova ka nevojë për stabilitet, zhvillim dhe institucione që fokusohen në jetën e përditshme të qytetarëve.
“Kosova ka nevojë për ndryshim. Për stabilitet, zhvillim dhe një qeveri që merret me jetën e përditshme të qytetarëve. Me mirëqenien e familjeve kosovare”, është shprehur ai.
Sipas Hamzës, mesazhet që ka marrë nga qytetarët gjatë takimeve nëpër Kosovë tregojnë se ndryshimi është bërë domosdoshmëri.
“Kur kjo kërkesë vjen nga familjet, nga të rinjtë, nga punëtorët e pensionistët që po e përballojnë jetën çdo ditë me vështirësi, atëherë ndryshimi nuk është vetëm nevojë – është domosdoshmëri”, ka deklaruar Hamza.
Në fund, ai ka përsëritur zotimin e tij politik për t’i dhënë fund krizave dhe për ta ndryshuar Kosovën bashkë me qytetarët.
“Prandaj, ky është zotimi ynë: T’i japim fund krizave. Ta ndryshojmë bashkë Kosovën!”, ka shtuar ai.