Kandidati për kryetar të Komunës së Mitrovicës që i fitoi zgjedhjet pa balotazh, Bedri Hamza, në Pressing të T7, ka thënë se s’e ka asnjë problem të bashkëpunojë me kryeministrat, qeverinë dhe ministrat, ani pse ata vinë nga një tjetër parti politike.
Ai tha se kryeministri i vendit i cili ka fituar në mënyrë demokratike, pa marrë parasysh nga cila parti politike është, është kryeministër i Kosovës dhe s’ka si të jetë ndryshe.
“Për mua flamuri politik është brenda partive politike. Në momentin kur një parti fiton në nivelin lokal apo qendror, brenda institucioneve është flamuri institucional. Në këtë rast në komunë është institucioni. Kryeministri i vendit nga cilado parti politike të jetë, është kryeministër i vendit tim dhe s’ka qysh të jetë ndryshe”, është shprehur Hamza.
Tutje, ai tha se për institucionet shtetërore do të ketë gjithmonë respekt, shkruan Express.
“Nëse unë pas kaq vite punë në institucione, nëse nuk flas me respekt për këto institucione, diçka s’është në rregull me mua”, ka thënë Hamza.
Gjithashtu, Hamza tha se pasi e ka fituar garën për të parin e Mitrovicës, patjetër që do të pozicionohet në mbrojtje të interesave të komunës.
“Në vije institucionale unë s’e kam asnjë problem të bashkëpunoj me kryeministrin, qeverinë, ministrat… Unë e kam fituar garën dhe do të jem kryetar i komunës dhe unë do të pozicionohem në mbrojtje të interesave të komunës”, shtoi Hamza