Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj ka bërë të ditur se me 4 rastet e konfirmuara mbrëmë të infektuar me Coronavirus, gjithsej numri i të infektuarve ka arritur në 25.
Ai përmes telefonit ka thënë për Ekonomia Online se këta katër persona të cilët kanë rezultuar pozitiv, janë raste kontakti prej familjarëve me vendbanim në fshatin Domanek.
“I kemi 4 raste të reja të cilët mbrëmë kanë rezultuar pozitiv me Coronavirus. Të infektuar kanë pasur kontakt me familjarët e tyre që kanë qenë më herët të infektuar”.
“Me këto 4 raste të reja, gjithsej numri i të infektuarve në Malishevë ka arritur në 25”, tha ai.
Megjithatë, Begaj thotë se situata po menaxhohet nga komuna që drejton, raporton EO.
“Gjendja është e qetë. Me ushqim nuk jemi keq. Njerëzit janë nëpër shtëpia. Edhe Ministria e Shëndetësisë dy herë na ka furnizuar me mjete mbrojtëse”, theksoi ai.
Momentalisht në Kosovë, numri i të infektuarve ka arritur në 71. Ndërkaq, deri më tani një person ka vdekur si pasojë e këtij virusi.