Kryetarja e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, Minire Begaj-Balaj, tha se çështja e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, duhet të bëhet prioritet në dialogun Kosovë-Serbi, raporton Ekonomia Online.
Tutje, Begaj-Balaj thotë se institucionet kompetente duhet ta ngritin këtë çështje në nivel shteti.
“Jo ne si Komision, meqenëse dhe mandati është i qartë ne kemi të bëjmë për njohjen dhe verifikimin e statusit, por këto tema janë, tema të rëndësishme të shtetit të Kosovës. Unë mendoj se të gjithë ne dhe ata që janë më kompetent duhet t’i kemi parasysh këto tema, për shkak se kjo është një vuajtje e madhe që i ka kushtuar Kosovës, në këtë rast mbijetuarve që duhet të kemi prioritet edhe në temat e dialogut të diskutohet për të mbijetuarit, besoj që kjo vuajtje ka me qenë me gjenerata dhe duhet ta kemi parasysh sikur krejt kategoritë tjera, mendoj që edhe të mbijetuarve duhet me u ngrit në nivel shteti, po kjo i mbetët kohës dhe institucioneve kompetente të merren me këtë temë”.
“Ne si komision jemi të përkuashtuar sa i përket njohjes çështjes së njohjes dhe verifikimit të të gjitha rastet t’i trajtojmë me dinjitet, me personalitet, dhimbjet dhe vuajtjet për të gjithë që kanë përjetuar këtë krime të luftës ta njohim. Kjo është ajo çka neve na preokupon dhe jemi të mandatuar për këtë pjesë. Ju e dini që komisioni është një institucion përveç trajtimit administrativë kemi për obligim dhe mbrojtjen ndaj gjithave të dhënave që kemi, punojmë me një konfindencialitet të plotë, kjo është me rëndësi për neve, është me rëndësi për të mbijetuarit, e dimë që kemi konfirmua bukur shumë raste. Edhe për proceset e tjera ne si komision do t’i ndihmojmë të gjithë institucionet tjera aty ku kemi mundësi dhe hapësirë”.
“Unë e di që për të mbijetuarit nuk është që është përfundua misioni i shtetit, ne po e bëjmë një njohje dhe verifikim që rezulton në një njohje më pastaj edhe në një pension individual që e marrin gjithë ata që përfitojnë statusin prej komisionit por që ka edhe shumë çështje tjera që për këtë kategori duhet të punojnë së bashku të gjithë akterët”, tha ajo për EO.
Po ashtu, Begaj-Balaj tha që
kandidimi i Vasfije Krasniqi-Godman për deputete e Kuvendit të Kosovës, do të
ndikojë në shtyrjen e proceseve për të sjell drejtësi për viktimat e dhunës
seksuale gjatë luftës.
“Mendimi jem personal, unë e kom thënë edhe më herët që zonja Vasfije
është një motiv i të mbijetuarve, mendoj që ka thyer shumë paragjykime në
momentin që ka dal publikisht, edhe ka me qenë një ndër personat më të
rëndësishëm që ka m’i shty proceset për të mbijetuarit, e sidomos proceset për
drejtësi. Mendoj që ka me qenë mbështetje, mbrojtje, motiv e reflektim për çështjen
e të mbijetuarve të luftës”.
“Ne i urojmë sukses zonjës Vasfije në këtë kandidim që me të vërtetë ka marr guximin për këtë sfidë të radhës por besoj që ajo është një zonjë e fortë që ka me arrit me ngrit temat rëndësishme për çështjen e të mbijetuarve të luftës dhe ka me qenë krahë dhe zëri i tyre”, u shpreh ajo për Ekonomia Online.