Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka bërë të ditur se deri më tani nuk ka asnjë rast të ri të infektuar me Coronavirus.
Megjithatë, Begaj në një bisedë përmes telefonit për Ekonomia Online, tha se vazhdojnë të kenë mungesë të mjeteve mbrojtëse.
“Deri më tani nuk kemi ende raste të reja. Jemi duke e menaxhuar situatën dhe gjendja është e qetë për momentin”.
“Masa mbrojtëse nuk kemi mjaftueshëm. Qytetarët nuk kanë maska, por po presim furnizim këtë javë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare. Gjendja nuk është alarmante”, tregoi Begaj.
Begaj, tregoi se kjo komunë po ballafaqohet edhe me mungesë të mjekvë dhe se tre mjekë kanë qenë në vetizolim.
Mirëpo, ai tregon se me rekomandim të IKShP-së, njëri nga tre mjekët është larguar nga vetizolimi.
“Kemi pasur mungesë të mjekëve, tre mjekë kanë qenë kanë qenë në vetë-izolim, mirëpo njëri nga ta është larguar nga vetë-izolimi me rekomandim të IKSHP-së”, tregoi Begaj për EO.
Malisheva ishte komuna e tretë që kishte hyrë në izolim për shkak të 4 rasteve të rezultuara pozitiv me Coronavirus.
Deri më tani në Kosovë 20 raste kanë rezultuar pozitiv me Coronavirus. Prej tyre, asnjë rast nuk është shëruar.
Ndërsa, në gjithë botën numri i të infekturave me Coronavirus ka arritur në 218 824, prej tyre 84 mijë e 121 janë shëruar ndërsa të vdekur janë 8 810.