Begaj: Kurrë nuk do të pajtohemi me veprime që bien ndesh me Kosovën

Prishtinë | 08 Tet 2024 | 10:17 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në takimin e përbashkët me shqiptarët e Malit të Zi, theksoi rëndësinë e forcimit të lidhjes mes shqiptarëve në të gjitha trevat.

“Për çështje madhore kombëtare, – theksoi Presidenti Begaj, – ne si shqiptarë duhet të jemi bashkë pavarësisht ideologjive politike e partiake që na bëjnë të konkurrojmë me njëri -tjetrin, konkurrencë e cila është mirë të jetë e shëndetshme. Ne duhet të jemi bashkë për çështjet që kanë të bëjnë më orientimin Euroatlantik të shqiptarëve. Kjo është një ëndërr dhe aspiratë e shqiptarëve, për të cilën nuk negociohet”, – theksoi Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.

“Ne ndër vedi nuk mund të vendosim gardhe”, – u shpreh Kreu i Shtetit, i cili mbështeti nismat e ndërmarra për heqjen e barrierave në kufijtë e rajonit.

Kreu i Shtetit përgëzoi përfaqësuesit e shqiptarëve të Malit të Zi për atë që kanë bërë dhe bëjnë në interes të shqiptarëve dhe i këshilloi se është e rëndësishme të mos tolerojnë veprimet antishqiptare: “Nëse ne shohim një qëndrim që bie ndesh me interesat e shqiptarëve, që bie ndesh me ëndrrat e shqiptarëve,me rrugëtimin tonë evropian, me qenien tonë në NATO, patjetër që këto gjëra nuk tolerohen, janë vijë e kuqe ndarëse. Mendimet individuale ne nuk i kundërshtojmë dot. Ne kundërshtojmë veprimet. Ne kurrë nuk do të pajtohemi me veprime që bien ndesh me Kosovën, bien ndesh me njohjen e saj, bien ndesh me votimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare”.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë u shpreh se duhet bërë më shumë në rritjen e përfaqësimit të shqiptarëve në administratë dhe jo vetëm.

Gjithashtu, ai u shpreh se asimilimi i shqiptarëve është një fenomen mjaft shqetësues, për parandalimin e të cilit është i nevojshëm hartimi i një strategjie afatgjatë, e cila do të duhet të ketë në fokus ruajtjen e identitetit kombëtar përmes arsimit, gjuhës dhe kulturës shqipe.

Presidenti i Republikës përgëzoi miratimin e tekstit të abetares së përbashkët në shkollat e Malit të Zi, ku mësimi bëhet ne gjuhën shqipe. Nga sot e tutje, në shkollat shqipe, nxënësit do të mësojnë gjuhën shqipe me të njëjtin libër si moshatarët e tyre në Kosovë dhe Shqipëri.

Duke e theksuar rëndësinë e kësaj arritjeje, Kreu i Shtetit u shpreh: “Abetarja është ajo që na mëson gjuhën dhe gjuha është rrënja e kombit. Pa gjuhë, nuk ka komb”.

Gjatë bisedës me Presidentin, përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Malin e Zi evidentuan kontributin e tyre në zhvillimin ekonomik, kulturor e politik të vendit dhe u shprehën shpresëplotë për pritshmëritë në forcimin e pozitës së tyre në të ardhmen. Ata, gjithashtu, siguruan se, me kontributin e tyre në jetën politike dhe ekonomike në Malin e Zi, do të vazhdojnë të jenë faktor të rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi. Presidenti Begaj i siguroi ata se ai personalisht do të mbështesë çdo inciativë që i shërben forcimit të faktorit shqiptar në rajon e më gjerë.

Të ngjashme