Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begajt, ka thënë se nuk kanë pasur ndonjë rast të dyshuar për coronavirus në 24 orët e fundit. Deri tani, në këtë komunë janë konfirmuar 32 raste.
Begaj ka thënë se gjendja atje është e qetë, por se kanë nevojë për më shumë pajisje mbrojtëse.
“Gjendja është e qetë. Nuk kemi informata për ndonjë rast të ri. Deri tani i kemi 32 raste. Me pajisje mbrojtëse po kemi problem, sepse ato që i kemi na dalin vetëm edhe për dy ditë. Shpresoj që tash pas ndryshimit të vendimit për kufizim të lëvizjes, s’do të ketë tollovi si më herët”, ka thënë Begaj për Express.
Ndryshe, mbrëmë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka konfirmuar edhe dy raste të reja me coronavirus, duke bërë që numri i rasteve në gjithë vendin të shkojë në 88, shkruan Express.
Sipas IKSHP’së, një prej rasteve është me vendbanim në Gjakovë dhe tjetri në Prishtinë.
“Sot me 27.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar 108 mostra të marra nga rastet në terren dhe nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive. Nga këto mostra të marra për testim në virusin SARS-CoV, 2 prej tyre kanë rezultuar pozitive. Rastet pozitive janë raste kontakti, një me vendbanim në Gjakovë dhe tjetri në Prishtinë”, thuhet në njoftim.