Sot, Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, ka vendosur për shfuqizimin e masës së karantinës për Komunën e Malishevës, masë e cila ishte marrë më 14 mars të këtij viti, pas shfaqjes së rastit të parë të prekur me virusin korona (COVID-19). Edhe pse masa e karantinës, është hequr, masat tjera të rekomanduara nga Ministria e Shëndetësisë dhe udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, mbesin në fuqi.
E kreu i komunës, Ragip Begaj, ka bërë thirrje që këto masa të respektohen.
Pas largmit të masës së karantinës për territorin e Komunës së Malishevës, Begaj, i ka falënderuar të gjithë qytetarët e Komunës së Malishevës, për qytetarinë e treguar në zbatimin e të gjitha masave mbrojtëse, për mos përhapje të sëmundjes së COVID-19.
“Kultura e treguar në zbatimin e masave mbrojtëse për luftimin e përhapjes së virusit korona, i ka dhënë rezultatet, dhe që disa ditë në komunën tonë kemi pothuajse zero raste të reja të prekur me këtë virus, e numri i të shëruarve është më i madhi në vend, pasi janë shëruar 58 persona të prekur. Për këtë kulturë të treguar dhe për zbatimin në përpikëri të të gjitha masave, në emër të Komunës së Malishevës, i falënderoj të gjithë qytetarët, e po ashtu i falënderoj edhe të gjithë ata që janë të angazhuar në luftimin e kësaj sëmundje, punëtorët shëndetësorë në QKMF, në Klinikën Infektive, IKSHP-në, Policinë e Kosovës dhe të gjithë stafin e Komunës së Malishevës, të cilët, nga dita e parë janë të angazhuar në luftimin e kësaj sëmundje”, tha Begaj, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Ai ka bërë thirrje që të ruhet distanca, dhe të mos grumbullohen në vende publike qytetarët.
“Pavarësisht heqjes së masës së karantinës, ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve, që të vazhdojnë ti respektojnë në maksimum të gjitha masat tjera për mbrojtje nga përhapja e virusit, pra mos u grumbulloni në vende publike apo në ndeja rasti, mbani distancën e rekomanduar fizike prej dy metra, mbani maska e dorëza, mos dilni pa nevojë, respektojeni masën e kufizimit të lëvizjes, dhe mbani higjienën e duhur”, ka thënë Begaj, duke kërkuar nga qytetarët, që të kenë kujdes të shtuar në raport me COVID-19.
Gjendja aktuale me COVID-19 në Komunën e Malishevës, është kjo: 76 të prekur me COVID-19, prej tyre 58 janë shëruar, një person ka pësuar me fatalitet dhe 17 persona janë në kurim e sipër, gjendja e të cilëve është stabile dhe pritet që brenda pak ditëve, shumica prej tyre të konfirmohen plotësisht të shëruar.