Behgjet Pacolli do të marrë pjesë në inaugurimin e Donald Trump

Prishtinë | 14 Jan 2025 | 15:31 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit Donald Trump në Washington DC, ka njoftuar këshilltari i tij, Jetlir Zyberaj, raporton Ekonomia Online.

“Me ftesë të veçantë të Presidentit Donald J. Trump, Presidenti Behgjet Pacolli do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të SHBA-së me 20 janar”, tha Zyberaj, i cili shtoi se për Pacollin marrëdhënia midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë gjithmonë me rëndësi të veçantë dhe “lidhja e tij shumëvjeçare me Presidentin Trump pasqyron këtë përkushtim”, ka shkruar Zyberaj.

Ai ka theksuar se presidenti Trump ka luajtur një rol kyç në avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

“Ai ishte presidenti i parë amerikan që i bëri thirrje Serbisë të njohë Kosovën përmes një marrëveshjeje të njohjes reciproke dhe gjithashtu mundësoi njohjen e Kosovës nga Izraeli. Presidenti Pacolli është i bindur se nën udhëheqjen e Presidentit Trump, Kosova do të vazhdojë të forcojë pozicionin e saj global, të tejkalojë izolimin ndërkombëtar aktual dhe të arrijë përparime të rëndësishme në rrugëtimin e saj drejt integrimit të plotë. Ky moment përfaqëson një mundësi të re për të thelluar partneritetin strategjik midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thotë Zyberaj në postimin e tij.

Në inaugurimin e Trump do të marrë pjesë edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.  

Të ngjashme