Këshilltari i presidentit Thaçi, Adil Behramaj, ka reaguar ndaj anketës që kompania e afërt me Vetëvendosjen, “UBO Consulting”, ka bërë për UND’në, transmeton Gazeta Metro.
Behramaj ka thënë se nuk ka më qesharake se të konstatohet që qytetarët janë të kënaqur deri në 72.4% me punën e Kryetares së Kuvendit, e cila asnjë punë nuk e ka bërë. Sipas tij, në total ajo vetëm 2-3 seanca i ka udhëhequr.
Ai ka ironizuar me pronarët e kësaj kompanie, duke thënë se qytetarët mbase janë kënaqur shumë me Vjosa Osmanin, pasi që ajo e ka mbiemrin e njëjtë me pronarët e “UBO Consulting”.
Këshilltari i Thaçit ka thënë se janë shumë kuota që një anketim e bëjnë të besueshëm dhe jo si ky që e paska bërë “UBO Consulting”, me adresar dhe numërator të marrë sigurisht nga selia e Lëvizjes Vetëvendosje!
Postimi i plotë:
Anketën e raportit “Pulsi Publik” të UNDP-së e paska bërë “UBO Consulting”, e cila prej kur e mbaj mend si emër e favorizon Albin Kurtin.
Për shkak të pandemisë anketimi qenka realizuar përmes intervistave telefonike me gjithsej 1306 qytetarë, kurse përzgjedhja e mostrës qenka bërë përmes metodës Random Digit Dialing, që kinse realizohet përmes thirrjeve të rastësishme.
Fillimisht, për ta thjeshtuar kuptimin e mostrës, ajo është sikur ju ta lexoni tani një faqe libri dhe mbi bazën e asaj faqeje si mostër ta nënkuptoni përmbajtjen e tërë librit.
Janë shumë kuota që një anketim e bëjnë të besueshëm dhe jo si ky që e paska bërë “UBO Consulting”, me adresar dhe numërator të marrë sigurisht nga selia e Lëvizjes Vetëvendosje!
Mostrimi duhet të jetë përfaqësues dhe të shpërndahet edhe nëpër komuna, etni, gjini, moshë, vendbanime urbane dhe rurale, sepse nëse kufizohemi p.sh. vetëm në populacionin e Prishtinës, Deçanit apo Drenicës, qysh tani mund t’i dimë përafërsisht rezultatet!
Por, nuk ka më qesharake se të konstatohet që qytetarët janë të kënaqur deri në 72.4% me punën e Kryetares së Kuvendit, e cila asnjë punë nuk e ka bërë. Në total 2-3 seanca i ka udhëhequr. Atë të votimit të Qeverisë dhe tjetrën të votimit të Mocionit të Mosbesimit kundër Qeverisë. Këtë të fundit me çdo kusht ishte munduar të mos e mbante! Qytetarët mbase janë kënaqur shumë me Vjosa Osmanin, pasi që ajo e ka mbiemrin e njëjtë me pronarët e “UBO Consulting”.
Falsifikimi i realitetit sa për t’iu krijuar imazhe fitimtarësh klientëve politikë, që qytetarët të mos arrijnë ta ndajnë as të vërtetën nga falsja, këtë shoqëri e ka bërë shumë indiferente. Dukja në politikë, në të cilën investon shumë Kurti, duke blerë edhe “wiews” nga India dhe Kina sa për t’u dukur sikur është rritur, është shumë e parëndësishme në krahasim me substancën. Po ashtu, po kjo kompani e kishte bërë edhe “anketën” e parafundit, sipas së cilës Lëvizja Vetëvendosje gjoja ishte rritur në mbi 50%.
Pra, vetëm dukja ju intereson këtyre!
Prandaj, UNDP nuk duhet ta rrezikojë imazhin e saj me angazhimin e kompanive që janë pararojë e politikës, të cilat prej ekzistencës së tyre e favorizojnë Vetëvendosjen. Ne kemi nevojë për substancë dhe jo për “sallata” politike!