Behramaj: Nuk kanë lënë institucion pa kapur, por tash po mundohen t’i kapin edhe protestat e shoqërisë civile

Prishtinë | 26 Gus 2021 | 18:48 | Nga Ekonomia Online

Ish-këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Adil Behramaj, i ka reaguar pjesmarrjes së ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu e cila mori pjesë në dy protestat e organizuara nga disa organizata të shoqërisë civile kundër vrasjes së 18 vjeçares, Marigona Osmani.

Behramaj përmes një postimi të tij në Facebook ka shkruar se kjo qeveri erdhi në pushtet si shpresë, e po përfundon si protestues para ministrive të tyre.

“Erdhën në pushtet si shpresë për qytetarët, por përfunduan si protestues para ministrive të tyre, duke nëpërkëmbur edhe përgjegjësitë institucionale që ua besoi me votë shumica e qytetarëve:, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

Nuk kanë lënë institucion pa kapur, por tash po mundohen t’i kapin edhe protestat e shoqërisë civile. Sapo erdhën në pushtet i harruan menjëherë qytetarët dhe aktivistët jofamiljarë të tyre, saqë tash po përpiqen ta rikrijojnë figurën e aktivistit, sepse kështu po u konvenon ta shfaqin veten në prag të zgjedhjeve lokale.

Erdhën në pushtet si shpresë për qytetarët, por përfunduan si protestues para ministrive të tyre, duke nëpërkëmbur edhe përgjegjësitë institucionale që ua besoi me votë shumica e qytetarëve.
Si pushtetarë u treguan tepër të zhdërvjelltë në kapjen e institucioneve, por tejet të padijshëm dhe të papërgjegjshëm në qeverisjen e tyre. Ndërsa, tash duke u shfaqur si protestues, po hiqen sikur nuk kanë fuqi të mjaftueshme politike për t’i bërë ndryshimet e premtuara, me shpresë që pompojnë fuqi politike edhe nëpër qeverisje lokale.


Kështu dikur protestuan dhe e shfrytëzuan si viktimë edhe Astrit Deharin, por sapo erdhën në pushtet edhe atë e harruan!
Meqë si pushtetarë nuk kanë asnjë sukses në emër të të cilit mund t’ua kërkojnë votat qytetarëve, mos e çoni larg mendsh nëse përpiqen ta krijojnë ndonjë tension dymujor për të kultivuar atmosferë të paparashikueshme, sepse edhe vetë po e dinë që 17 tetori është fillimi i fundit të tyre!

Të ngjashme