Këshilltari i presidentit të vendit, Adil Behramaj ka thënë se Qeveria pas qëllimit për ta uzurpuar kompetencat e presidentit tani po mundohet të kap edhe kompetencat e Kuvendit.
Sipas Behramajt, Qeveria në detyrë shkeli Kushtetutën duke e shpallur gjendjen e jashtëzakonshëm, pas përhapjes së pandemisë.
“Albin Kurti mund të vazhdojë të sillet sa të dojë si batakçi i regjur apo të luajë pingpong politik, duke u munduar të dalë mbi Kushtetutën për ta uzurpuar pushtetin, por rendi ynë kushtetues nuk e lejon”, ka shkruar Behramaj në Facebook.
Postimi i plotë:
Më herët u munduan t’i uzurpojnë kompetencat e Presidentit. Tash po mundohen t’i uzurpojnë edhe kompetencat e Kuvendit. Institucioni kryesor politik në Republikën e Kosovës është Kuvendi, jo Qeveria. Kjo e fundit ishte munduar t’i uzurpojë kompetencat edhe për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme. Qeveria kishte refuzuar që Presidenti ta procedonte dhe Kuvendi ta shpallte atë, kurse kundërligjshëm të gjitha masat e Gjendjes së Jashtëzakonshme i instaluan, duke e shkelur edhe Kushtetutën.
Qeveria nuk mund t’ia imponojë Kuvendit shpërbërjen. Këtë nuk mund ta bëjë as Presidenti pa u konsumuar të gjitha procedurat kushtetuese, përfshirë edhe konsultimin dhe pajtueshmërinë e partive parlamentare.
Kështu që, Albin Kurti mund të vazhdojë të sillet sa të dojë si batakçi i regjur apo të luajë pingpong politik, duke u munduar të dalë mbi Kushtetutën për ta uzurpuar pushtetin, por rendi ynë kushtetues nuk e lejon!