Artan Behrami, këshilltar i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi e ka kritikuar Bashkim Evropian, se po e diskriminon Kosovën. Ai ka thënë se Bashkimi Evropian ka vendosur që të ndajë 7.5 milionë euro për Serbinë, për ta përballuar më lehtë luftën kundër virusit COVID-19, ndërsa Kosovës i ofroi vetëm disa lëvdata.
“Ambasadorja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, krejt çfarë i ofron Kosovës janë disa lëvdata për Ministrinë e Shëndetësisë. Arben Vitia padyshim që është ministri më i mirë në kabinetin e Kurtit. Por, ambasadore, edhe ne kemi nevojë për mbështetje me pajisje medicionale. Edhe personelit shëndetësor, edhe ekipeve që po ballafaqohen nga afër me këtë pandemi, u nevojiten pajisje mbrojtëse, prandaj përkraheni edhe Kosovën njëjtë si Serbinë. Me vepra, jo me fjalë. Serbia ju shantazhon gjithmonë përmes kartës ruse, prandaj edhe po e mbështetni’, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Ky është postimi i plotë i Behramit:
Në javën e ardhshme, aeroplanë plot me pajisje medicionale do të arrijnë në Beograd. “BE-ja gjithmonë me Serbinë në kohën e nevojshme. Vepra, jo fjalë”. Këto ishin fjalët e ambasadorit të BE-së në Beograd, Sem Fabrizi.
Derisa BE-ja fjalët i shndërron në vepra në Serbi, në Kosovë si gjithmonë veprat i zëvendëson me premtime të thata.
Ambasadorja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, krejt çfarë i ofron Kosovës janë disa lëvdata për Ministrinë e Shëndetësisë. Arben Vitia padyshim që është ministri më i mirë në kabinetin e Kurtit. Por, ambasadore, edhe ne kemi nevojë për mbështetje me pajisje medicionale. Edhe personelit shëndetësor, edhe ekipeve që po ballafaqohen nga afër me këtë pandemi, u nevojiten pajisje mbrojtëse, prandaj përkraheni edhe Kosovën njëjtë si Serbinë. Me vepra, jo me fjalë.
Serbia ju shantazhon gjithmonë përmes kartës ruse, prandaj edhe po e mbështetni
Moto e re e BE-së: “United in Discrimination”.