Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka komentuar krizën institucionale në Kosovë, duke e kritikuar gjendjen aktuale politike dhe funksionimin e institucioneve.
Në “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Behrami tha se Kosova po përballet me një situatë të rëndë institucionale dhe se, sipas tij, gjatë kësaj periudhe ka pasur shkelje të Kushtetutës, ligjeve dhe parimeve demokratike.
“16 shtatori po them mundet me ridefinu krejt këto që kemi pas dhe këtë periudhë… Ne kemi pasur shkelje sistematike të Kushtetutës, shkelje sistematike të ligjeve, të rregulloreve, të parimeve demokratike, të demokracisë, ka pasur një përmbysje të rendit kushtetues, demokratik. Edhe këtu ka mbet, a din diçka, me e rikthye edhe një herë Hashim Thaçin me shpallë Kosovën prej fillimit të pavarur”.
“Qaq shumë është shkatërruar sistemi juridik, qaq shumë është shkatërruar sistemi normativ në Republikën e Kosovës sa që ne, disi duhet me rishpallë edhe njëherë Kosovën prej fillimit të pavarur dhe natyrisht që ky është shqetësim i madh, natyrisht që është diçka që neve na shqetëson, por këtu ekziston një rrezik, por ekziston edhe një mundësi e një kremte tepër të madhe të Drejtësisë Ndërkombëtare sepse kur krerët e UÇK-së, për çka unë besoj, jam i bindur, lirohen me të 16-tin, kjo është fitorja më e madhe e shtetit të pavarur të Republikës së Kosovës, sepse rikonfirmohet edhe një herë shtetësia e Kosovës, pavarësia e Kosovës dhe rikonfirmohet lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Behrami.
Deputeti i PDK-së gjithashtu bëri thirrje për pjesëmarrje sa më masive në tubimin e paralajmëruar më 12 shtator në Prishtinë në mbrojtje të çlirimtarëve, duke thënë se kjo datë dhe 16 shtatori duhet t’i bashkojnë qytetarët e Kosovës.