Zvicra, si edhe përfaqësueset tjera, të hënën, ka shpallur listën përfundimtare prej 23 lojtarëve që do të paraqiten për këtë vend në botërorin e futbollit “Rusia 2018”.
Sa u takon futbollistëve shqiptarë nuk kishte ndonjë befasi në listën e përzgjedhësit Vladimir Petkoviq, shkruan Koha Ditore.
Pjesë e saj janë katër futbollistët shqiptarë që ishin edhe në ekipin e zgjeruar: Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Blerim Xhemaili e Valon Behrami. Të katër lojtarët janë bartës të lojës së Zvicrës dhe pritet të jenë startues në botërorin që nis më 14 qershor.
Të gjithë këta shqiptarë janë të rëndësishëm për Zvicrën. Janë tashmë pjesë e historisë së futbollit zviceran, por për libra të historisë më shumë vlen e arritura e Valon Behramit.