Artan Behrami, ish-këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi, cili ka qenë cak i bastisjeve nga Prokuroria Speciale gjatë ditëve të fundit, ka thënë se Gjykata Speciale në Hagë ka dështuar në hetimet për trafikim organesh dhe po dështon të dëshmojë krimet e pretenduara të luftës ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Pasi ka dështuar në këto, Specialja ka filluar të konfiskojë iPad të fëmijëve, ka ironizuar Behrami.
“Gjykata Speciale hetimet i filloi për trafikim të organeve. Dështoi!
Vazhdoi hetimet për krime të pretenduara të luftës. Po dështon!
Tani ka fillu me konfisku iPad të fëmijëve! Cirk!”, ka shkruar ai në Facebook.
Behrami, pas përfundimit të bastisjes së banesës së tij, para mediave ka thënë se bastisje të tilla kanë qëllim frikësimin e qytetarëve.
“Ata nuk vijnë për të marrë diçka por për të tërhequr vëmendje mediale dhe për të ndjellë frikë. Por ne nuk jemi frikësuar as në luftë e as nga regjimi i Millosheviqit e as nuk i frikësohemi as kësaj Prokurorie”, ka thënë Behrami, duke shtuar se janë krenar me punën që kanë bërë me ish-presidentin Hashim Thaçi.
Ai ka thënë se Dhomat e Specializuara në Hagë nuk mund t’i bastisin 1.8 milionë banorë që kundërshtojnë këtë Gjykatë dhe se veprimet e fundit kanë për synim tërheqjen e vëmendjes mediale.