Deputeti i AAK-së dhe njëherit kandidati i kësaj partie për kryetar të Istogut, Bekë Berisha, në një prononcim për Gazetën Express ka folur rreth zhvillimeve të fundit dhe arrestimit të të parit të Istogut, Haki Rugovës, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Berisha ka thënë se nuk ia merr mendja që Haki Rugova do të japë dorëheqje, megjithatë thotë se edhe nëse do të ndodh diçka e tillë në Istog nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme.
“Është çështje e ligjit. Ligjërisht edhe nëse dorëhiqet, që s’ma merr menja, prapë duhet me shku në zgjedhje të rregullta”, ka thënë Berisha.
Derisa sot në Gjykatën Themelore të Pejës është mbajtur seanca dëgjimore ndaj kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugova dhe zyrtarëve të tjerë, ku Prokuroria propozoi masën e arrestit shtëpiak ndaj Rugovës.
Avokati Berisha pas kësaj seance të parë ka thënë se Rugova po persekutohet dhe ka potencuar se është prokuroria ajo që ka bërë krim.
Të akuzuar në këtë rast përveç kryetarit të Istogut, është edhe ish-nënkryetari i kësaj komune, Lulzim Blakaj dhe zyrtari ligjor, Faton Bujupi.
Rugova është arrestuar nën dyshimin se ka keqpërdorur detyrën zyrtare, duke u dhënë familjarëve tokë të komunës. Siç ka treguar avokati mbrojtës, Rugova dyshohet për 4 vendime të Kuvendit Komunal të Istogut, përmes të cilëve janë dhënë në shfrytëzim pronat e shtetit.