Projektligji për lejimin e tërheqjes së 30% të mjeteve nga Trusti Pensional, pa mendim të Qeverisë iu është dërguar deputetëve të Kuvendit të Kosovës për ta shqyrtuar para se të hidhet në votim.
E ky projektligj para se të shkon në seancë duhet që të diskutohet në komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, por ende nuk dihet data se kur do të diskutohet.
Arsyeja se pse ende nuk është diskutuar për Trustin në këtë komision, është bllokimi që po e bën deputeti i VV-së, Armend Muja.
Kështu po pretendon deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.
Haxhiu tha për Front Online se kushtet janë plotësuar që Trusti të trajtohet në Komision.
“Të gjitha kushtet janë plotësuar që Projektligji për tërheqjen e mjeteve nga Trusti të trajtohet në Komision për Buxhet, por është mirë që ta pyesni Armend Mujen pse ai po e bllokon dhe nuk po e trajton këtë projektligj”, tha Haxhiu .
Deputeti Haxhiu tha se vetëm edhe 10 ditë ka kohë që Projektligji për Trustin të shkojë në Kuvend.
“Sipas rregullores deri më datë 24 nëntor, projektligji për Trustin duhet të trajtohet në Seancën e Kuvendit në lexim të parë”, theksoi Haxhiu.
Lidhur me çështjen e Projektligjit për Trustin, Front Online ka kontaktuar që të marr një përgjigje edhe nga Armend Muja, por ai nuk ka kthyer përgjigje.
Për lejimin e tërheqjes së mjeteve nga Trusti të shtunën në Prishtinë ku është kërkuar që qytetarëve t’u lejohet tërheqja e 30 për qind të kursimeve pensionale nga Trusti.