Në ditën e parë të shkollës për vitin e ri shkollor, 2021-2022, I pari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, së bashku me drejtorin e Drejtorisë për Arsim, Bekim Latifi , mësimdhënës dhe nxënës, ka bërë përurimin e dy objekteve të reja, të shkollës fillore “Drenica”, në Polac dhe shkollës fillore “Vëllezërit Frashëri”, në Qubrel.
Me këtë rast, Kryetari Jashari, ka uruar nxënësit, për objektin e ri shkollor si dhe për fillimin e vitit mësimor, duke shpresuar që kushtet e krijuara të ndikojnë pozitivisht në ngritjen e nivelit të arsimit në vend.
Jashari tutje, duke falënderuar Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, për financimin e këtyre projekteve, u bëri thirrje mësimdhënësve që të vazhdojnë punën e tyre më angazhim të madh, në mënyrë që përmes edukimit të gjeneratave të reja të arrihet përmbushja e amanetit të të parëve.
“Bëjë thirrje për mësimdhënësit që të vazhdojnë angazhimin e tyre maksimal në edukimin e brezave të rijnë sepse ky është sot ideali ynë, misioni dhe vizioni unë, amaneti i dëshmorëve e heronjve të vendit tonë, që të ndërtojmë një shtet të fortë ekonomikisht, baza e së cilit sigurisht që është arsimi”, tha Jashari.
Kryetari Jashari, po ashtu bëri të ditur se puna për sektorin e arsimit nuk do të ndalet me kaq, pasi që në vazhdimësi do të punohet në përmirësimin e infrastrukturës.
“Me bashkëpunim të secilit nga ne shkollat tona do t’i mbushim me teknologji të avancuar, biblioteka e kabinete të ndryshme, nxënësve do tu krijojmë kushte për zhvillimin e talenteve të tyre, mësimdhënësve do t’ua lehtësojmë punën përmes përdorimit të metodave më bashkëkohore të mësimdhënies kurse prindërve do t’ua kursejmë kohen, duke instaluar sistemin online të notimit ku prindërit do të kenë qasje në procesin e vlerësimit të nxënësve dhe mirësjelljes së fëmijëve të tyre, përmes programeve të avancuara teknologjike pa pasur nevojë që të vizitojnë shkollat e nxënësve të tyre”, tha ai.
Edhe drejtorët e këtyre dy institucioneve, Gëzim Gashi e Florim Rrustemi, u shprehen jashtëzakonisht falënderues ndaj ministrisë, komunës dhe Kryetarit Jashari, për realizimin e këtyre projekteve të rëndësie të veçantë.