Ben-Meir: Vuçiq nuk është i gatshëm për marrëveshje që çon në njohje të pavarësisë së Kosovës

Prishtinë | 29 Nën 2022 | 09:36 | Nga Ekonomia Online

Nuk pritet që të ketë përparim në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi edhe përmes planit franko-gjerman. Kështu po e sheh një gjë të tillë procesin e dialogut eksperti amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alon Ben-Meir.

Mirëpo, sipas tij përpjekjet për normalizim te raporteve duhet vazhduar.

Në një përgjigje për Teve1.info, Ben-Meir tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk është afër arritjes së ndonjë marrëveshjeje që do çonte në njohje të Kosovës.

“Besoj se përpjekjet për normalizim duhet të vazhdojnë, ne nuk duhet të mbajmë frymën në pritje të një përparimi në këtë drejtim. Presidenti i Serbisë Vuçiq nuk është afër arritjes së ndonjë marrëveshjeje që do të normalizonte plotësisht marrëdhëniet me Kosovën dhe do të çonte në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Beogradi”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, Serbia e ka refuzuar vazhdimisht propozimin franko-gjerman, pasi neni 8 dhe 9 flasin për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ben-Meir shton se ka shumë hapa të tjerë që duhet ndodhur drejt normalizimit të marrëdhënieve, duke përmendur Asociacionin, Liqenin e Ujamanit dhe Minierën e Trepçës.

“Serbia e ka refuzuar vazhdimisht propozimin franko-gjerman për faktin se nenet 8 dhe 9 mund të interpretohen si të barasvlershme me njohjen e pavarësisë së Kosovës. Neni 8 thotë se ‘Kosova dhe Serbia do të shkëmbejnë Misionet e Përhershme. Ato do të themelohen në selinë e Qeverisë përkatëse’ dhe në nenin 9 thuhet ‘Kosova dhe Serbia bien dakord që ky Traktat nuk do të prekë traktatet dhe marrëveshjet ndërkombëtare dypalëshe dhe shumëpalëshe të lidhura tashmë prej tyre ose që kanë të bëjnë me to’. Shumë hapa të tjerë në rritje drejt normalizimit duhet të ndodhin, duke përfshirë arritjen e një marrëveshjeje të modifikuar për Asociacionin e Komunave Serbe, përcaktimin e të drejtave të ujit mbi liqenin e Ujmanit dhe të drejtat për minierën e Trepçës, ndër të tjera, përpara se të zbatohet plani franko-gjerman”, tha Ben-Meir.

Eksperti amerikan foli edhe për arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për targat, ku e quajti si hap të rëndësishëm për zbutjen e tensioneve mes vendeve.

Ai kritikoi Kurtin për “dramat” që bëri në lidhje më këtë çështje.

“Marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë është padyshim një hap i rëndësishëm drejt zbutjes së tensionit mes dy vendeve. Kjo marrëveshje duhet të ishte arritur shumë më herët pa aq bujë dhe drama nga ana e kryeministrit Kurti. Në të vërtetë, z. Kurti duhej të pranonte nën presionin e SHBA-së dhe BE-së. Në fund, siç deklaroi shefi i Punëve të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, “Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës, ndërsa ‘Kosova do të ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm në lidhje me riregjistrimin e automjeteve’”, përfundoi Ben-Meir.

Kosova dhe Serbia së fundmi kanë arritur marrëveshje në Bruksel për targat ilegale edhe pse kjo çështje bëri që të tensionohet situata në veri. E ajo çfarë pritet të diskutohet pas kësaj marrëveshjeje mes dy palëve është plani franko-gjerman. Kryediplomati evropian, Josep Borell, ka paralajmëruar se do t’i ftojë në Bruksel, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq për të diskutuar për planin franko-gjerman të mbështetur nga Franca dhe Gjermania.

Sipas BE-së, ky plan ka për qëllim normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. 

Të ngjashme