Deputetët e Kuvendit të Kosovës, të enjten do të vendosin nëse duan t’i krijojnë presidentit të shtetit, benificione të përjetshme.
Për herë të parë, ata do të votojnë në parim për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Presidentin.
Projektligji në fjalë është votuar pozitivisht nga shumica e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion, por një gjë të tillë nuk e ka bërë edhe kryetarja e këtij Komisioni, Albulena Haxhiu.
Ajo në një përgjigje për AktivPress ka deklaruar se ka abstenuar në ditën kur ky Projektligj ka dalë për votim për t’u proceduar në Kuvend.
“Unë kam abstenuar sa i përket projektligjit në fjalë mirëpo nëse i njëjti hynë në fuqi atëherë zbatohet për të gjithë presidentët. Arsyetimi i abstenimit tim, ka të bëjë me atë se unë konsideroj që duhet të bëhet një rishikim i ligjit për përfitimin e ish-zyrtarëve të lartë e që lidhet edhe me Ligjin për Presidentin”, ka thënë Haxhiu.
Në të vetmin nen të këtij Projekligji për të cilin pritet të diskutojnë deputetët, thuhet se Presidenti ka të drejtë që edhe pas përfundimit të mandatit të japë kontributin e tij me anëtarë më të kufizuar të stafit.
“Presidenti i Republikës së Kosovës të cilit i ka përfunduar mandati në pajtim me paragrafin 1 të nenit 18 të ligjit bazik, ka të drejtë pas përfundimit të mandatit të tij/saj, në hapësirë zyreje, në pajisje për zyre, dhe në personel profesional të zyrës që nuk mund të jenë më shumë se tre (3) persona”, thuhet konkretisht në këtë nen.
Ndërkaq me ligjin në fuqi, definohet që presidenti ka të drejtë që këto benificione t’i shfrytëzojë jo më gjatë se pesë vjet pas përfundimit të mandatit.
Këto privilegje për zyrtarë të lartë të shtetit, po i quan të papranueshme deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.
“Mendoj që në rrethanat nëpër të cilat po kalojmë, varfëri, papunësi, mungesë të zhvillimit ekonomik, privilegjet për zyrtarët e lartë janë të papranueshme”, thekson Haxhiu.
Ajo shton se gjatë kësaj kohe, dhe më së largu në janar të vitit të ardhshëm beson që duhet të rishikohet ligji në fjalë, për përfitimin e ish-zyrtarëve të lartë dhe sipas saj aty ku kanë mundësinë, do t’i largojnë privilegjet për zyrtarët e lartë.
“Në lidhje me këtë, unë kam bërë një kërkesë për hulumtim parlamentar, për t’u informuar se si i kanë të rregulluara këto çështje vendet tjera dhe pastaj duhet të organizohet një diskutim i hapur për të njëjtën çështje”, shton më tej kryetarja e Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës.
Në anën tjetër edhe pjesëtarë të shoqërisë civile, po kundërshtojnë ashpër beneficionet shtesë të zyrtarëve të lartë institucionalë në Kosovë edhe pas përfundimit të mandatit.
Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka deklaruar për AktivPress se është e panevojshme që Presidentit t’i shtohen beneficione të paarsyeshme, pasi sipas tij ai gëzon mjaft të tilla edhe me ligjin në fuqi.
“Megjithëkëtë, një pagë pas përfundimit të mandatit për një periudhë kalimtare që lehtëson tranzicionin nga jeta publike në atë private është e arsyeshme”, thekson Krasniqi.
Njohësi i çështjeve të legjislativit, shton më tej se problematikë në Kosovë mbetet Ligji për përfitimin e ish-zyrtarëve të lartë.
“Atë që e shoh me shumë problematike dhe shpenzim joracional të parasë publike është Ligji për përfitimim e ish-zyrtarëve të lartë, që përfshijnë ish-kryeministrin, ish- kryetarin e Kuvendit, ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese e shumë zyrtarë të tjerë të cilët marrin 70% të pagës së funksionit përkatës gjatë gjithë jetës. Përveç kësaj, të njëjtin kanë edhe shumë benificione të tjera, si asistent, shofer, zyrë komode dhe shpenzime të komunikimit prej 100 euro në muaj”, thotë ai.
Sipas Krasniqit, ky ligj ka nevojë urgjente që të ndryshohet duke reduktuar këto benificione të paarsyeshme