Sulmuesi francez i Real Madridit, Karim Benzema ka sulmuar verbalisht bashkëkombasin e tij te Chelsea, Oliver Giroud.
Giroud e ka zëvendësuar Benzeman te përfaqësuesja e Francës në katër vitet e fundit, pasi sulmuesi i Realit është përjashtuar nga përfaqësuesja që para Evropianit 2016.
Benzema ka realizuar 27 gola në 81 ndeshje për Francën, por në dy turnetë e mëdhenj të fundit, Giroud ka qenë sulmuesi kryesor i Francës.
Giroud, ka shënuar 39 gola në 93 ndeshje dhe është vetëm prapa Thierry Henrys dhe Michel Platinis në listën e shenuesëve më të mirë te “të kaltërit”. Ai ka ndihmuar Francën të fitonte titullin e botës dy vite më parë.
“ Nuk mund të përzini Formula 1 me karting, dhe unë po tregohem i sjellshëm në këtë. Unë e di se jam vet Formula 1”, ka thënë Benzema, njofton “El Mundo Deportivo”, transmeton Koha.net. “Funksionon pasi ai është aty, kjo është arsyeja e vetme. Nuk do të jetë spektakolare, ai nuk do të bëjë ndonjë gjë të jashtëzakonshme, por ka metodat e veta. Pos kësaj, a pëlqejnë të gjithë mënyrën se si luan ai? Këtë nuk e di”.
Benzema ka vazhduar të shkëlqejë me Real Madridin, duke shënuar 30 gola stinorin e kaluar. Ndërsa këtë stinor ka shënuar 14 gola në La Liga dhe i ka asistuar gjashtë tjerë.
Derisa Benzema është bërë shtyllë e sulmit të Realit që nga largimi i Cristiano Ronaldos për te Juventusi, Giroud llogaritet si dytësor te Chelsea dhe mendoi të largohej në janar.