Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për punësime partiake në komunën që udhëheqë, Prizrenit dhe në kohën sa udhëhiqte me Prishtinën, raporton Ekonomia Online.
Sipas Beqës, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, është larguar nga VV-ja për shkak të presioneve të shumta nga partia e tij.
“Juve VV ua kena pa presionin që ia keni ba kryetarit në Prishtinë. Iu kemi pa punësimet e paligjshme në Prishtinë dhe si rezultat i atyre ju ka ik kryetari me 12 asamblistë. Nuk di si mund të menaxhoni me shtetin kur nuk mund të menaxhoni me partinë”, tha Beqa.
Sipas tij, edhe kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, që vjen nga VV-ja, çdo ditë po kërkon dorëheqje për shkak të të njëjtave presione.
“Kryetari i Prizrenit çdo ditë lyp dorëheqje nga presionet që ia bëni ju sepse mendoni që Prizreni është i juaji, dhe nuk kisha pas dëshirë me u marrë me ty se me ty kanë me u marrë qytetarët”, tha Beqa.
Këto komente, deputeti Beqa i bëri në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, në të cilën po diskutohet për largimin e të rinjve nga Kosova.