Kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, ka reaguar lidhur me skandalet e korrupsionit brenda sektorit energjetik në vend. Ai ka theksuar se çdo ditë po bëhen gjithnjë e më të dukshme lidhjet korruptive mes eksponentëve të lartë të qeverisë, me kryeministrin Albin Kurti në krye.
Beqa ka nënvizuar rolin e tij aktiv në iniciimin e hetimit të kësaj afere, duke shtuar se ka qenë pjesë e komisioneve parlamentare që kanë trajtuar këtë çështje.
Ai ka kujtuar se ish-kryeshefi i KEDS, Nagip Krasniqi, tashmë i pandehur, kishte vështirësi të përgjigjej para komisionit hetimor parlamentar. Beqa ka theksuar se Krasniqi, për të mbrojtur interesat e tij dhe të të tjerëve të përfshirë në korrupsion, u zhyt më thellë në këtë skandal, duke u gjetur tani në një pozitë të pamundur për të mbrojtur veten dhe ata që e kanë përfshirë në këtë rrjet.