Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka vizituar Odën Ekonomike Amerikane (OEAK) ku është pritur nga kryetari Arian Zeka.
Në takimin me drejtuesit e OEAK-ut dhe anëtarët e saj, Beqaj ka promovuar edhe programin për financimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NMV), raporton Ekonomia Online.
Beqaj tha se fondet që i ndajnë si ministri duhet të jenë sa më shumë në funksion të zhvillimit të sektorit privat.
Kur foli për financimin e ndërmarrjeve të vogla, të mesme dhe OJQ-ve, Beqaj tha se synojnë që me shfrytëzimin e buxhetit të ministrisë të hapin 2 mijë vende pune.
“Është dashur qe me këtë buxhet nëse e shfrytëzojmë, të hapen 2 mijë vende pune”.
Beqaj tha se ministria që ai drejton nuk merret me leje, licenca e procedura burokratike, por merret me përkrahjen e sektorit privat.
“Si inovaciom konsiderojmë përmirësim të çdo procesi, i prodhimit apo proceseve jetë. Inovacion është që e rrit potencialin për daljen në tregun jashtë vendit dhe rritjen e konkurrueshmërisë brenda vendit”.
Ai shtoi se mision i tij është të ndryshojë konceptin e mendimit ekonomik në vend, që jo domosdoshëm resurset natyrore janë parakusht për zhvillim.
“Synimi ynë është të krijojmë parakushte ligjore, parakushte të infrastrukturës fizike dhe financiare”.
Beqaj theksoi se beson që javën e ardhshme të miratohet koncept dokumenti i Ligjit për Inovacion, i cili i parasheh start-up, inkubatorët.
“Është bërë sepse s’mund t’i japim përkrahje një inovatori pa e futur në proces. Jemi duke punuar për strategji, tani GIZ-i e ka marr përsipër të na ndihmojë në draftim të strategjisë. Është themeluar këshilli kombëtar për inovacion, është trup konsulent jo-vendimmarrës”.
Beqaj bëri të ditur se kanë 9 milionë e 500 mijë euro fonde për subvencione për këtë vit. Sipas tij 2 milionë euro janë të dedikuara për infrastrukturë fizike.
Ai tha se shqetësim nuk janë mjetet financiare, por idetë. Beqaj u bëri thirrje ndërmarrjeve që të aplikojnë me sa më shumë ide për projekte.
“Shqetësim nuk janë paratë, shqetësimin e kam sa i përket ideve, me i populli 39 hektarë është problem. Hajdeni të organizohemi sepse do të këtë fonde mjaftueshëm por na duhen ide”.
Beqaj tha se do krijojnë një qendër inovacioni në Ferizaj dhe se janë duke biseduar me Universitetin e Prishtinës që një të tillë të krijojnë edhe në Fakultetin e Inxhinierisë Meknike dhe një qendër në Prizren.
“I kemi krijuar politikat për financim të sektorit privat dhe kemi ardhur në momentin kur kemi bërë ftesën publike, është i hapur deri më datën 15 korrik, janë tri nivele të NMV. Përkrahja është nga 20 mijë deri në 100 mijë euro për projekte inovaitve, mund të jenë shëndetësi, inovacion etj”.
Beqaj bëri të ditur se GIZ-i gjerman ka ndarë 1 milion e 400 mijë euro fonde, derisa edhe ministria ka ndarë 1 milion e 400 mijë euro. Të njëjtin bashkëpunim tha se ua kanë ofruar edhe USAID-it dhe ADA-s
Drejtori i OEAK-ut, Arian Zeka ka thënë se ka qenë edhe kërkesë e tyre që të themelohet kjo ministri për t’i dhënë më shumë rëndësi inovacionit, raporton EO.
“Ministria është e re e kësaj qeverie, ka qenë kërkesë e OEAK-ut që të ketë dikaster të veçantë që do t’i kushton më shumë rëndësi inovaconit se në të kaluarën”.
Ilir Ibrahimi, president i bordit të guvernatorëve në OEAK, shpresoi që të ketë biznese për të shfrytëzuar projektet që ofron ministria e Inovacionit dhe ndërmarrësisë.
“Prania juaj tregon për interesimin që kanë zgjuar projektet qe ministria paraqet, shpresoj qe të kemi biznese që do ti shfrytëzojnë ato”.
Pjesëmarrësit në këtë tryezë patën mundësinë të shfaqin pikëpamjet e tyre mbi këtë
program, duke e vlerësuar si të rëndësishme një iniciativë të tillë në mbështetjen e sektorit privat nga kjo
ministri.