Beqaj: Ferizaj do të bëhet me Qendër të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë

Ferizaj | 08 Mar 2018 | 15:26 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj ka vizituar komunën e Ferizajt, ku është pritur në takim nga kryetari Agim Aliu.

Pas takimit, ministri Beqaj dhe kryetari Aliu kanë vizituar Qendrën e Kulturës në të cilën ministria planifikon të ndërtojë një Qendër të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

Ministri Beqaj tha se kanë mjete të mjaftueshme financiare për të realizuar këtë projekt dhe në këtë drejtim pritet të fillojnë shpejt, pasi komuna të kryejë procedurat që i takojnë.

Beqaj shtoi se kjo qendër ka për qëllim të trajtojë idetë inovative. Ai theksoi se qendra do të jetë në shërbim të studentëve të Ferizajt dhe njerëzve afarist.

“Kjo qendër do t’i mirëpres studentët e Universitetit të Ferizajt por edhe njerëzit afarist, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Qendra ka synim që të trajtojë idetë inovative prej fazës së parainkubimit deri në fazën e avancimit të tyre dhe regjistrimit si Start-UP. Ministri e Inovacionit ka fonde të mjaftueshme për ta rinovuar dhe për ta pajisur.

“Në bashkëpunim me komunën do të zgjedhim projekte ideore të cilat do të mund t’i mbështesim edhe financiarisht. Ajo çka e bënë të veçantë këtë qendër është se do të takohen idetë e të rinjve dhe të cilat kanë nevojë të përkrahen financiarisht. Besoj se kjo do të ia jep një vlerë shtesë Ferizajt dhe Kosovës. Ekonomia digjitale është ekonomia e së ardhmes së Kosovës”.

Ndërsa kryetari Aliu theksoi se vizita e ministrit Beqaj konfirmon mbështetjen e Qeverisë për komunën e Ferizajt.

Ai bëri të ditur se kati i parë i Qendrës së Kulturës do të shfrytëzohet për krijimin e Qendrës së Inovacionit.

“Kemi vendosur që kati i parë i ish-Shtëpisë së Kulturës të shërbejë për qendrën. E patë që ka hapësira të mjaftueshme. Na presin shumë punë, shumë procedura të zhvillimit të funksionalitetit të kësaj qendre. Në afatet sa më të shpejta do të përmbushim obligimet sa i përket funksionalizimit të qendrës”.

Të ngjashme