Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj, në kuadër të vazhdimit të bashkëpunimit me shtetin gjerman, ka pritur sot në takim deputetin e Bundestagut, Volkmar Klein.
Ministri Beqaj në emër të Qeverisë së Kosovës ka shprehur falënderimin për bashkëpunimi dhe mbështetjen e vazhdueshëm nga shteti gjerman, donatorin më të madh në Kosovë, duke theksuar se ky bashkëpunim është i rëndësisë së veçantë.
“Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë që në fillim të punës së saj ka realizuar një bashkëpunim të rëndësishëm me shtetin gjerman, në veçanti marrëveshja me GIZ dhe themelimi i Parkut Gjermano-Kosovar për Inovacion dhe Trajnime në Prizren, janë aktivitetet që kanë ndikim shumë të rëndësishëm në përkrahjen të fushës së inovacionit dhe ndërmarrësisë”, tha Ministri Beqaj.
“Mbështetja e fuqishme e Gjermanisë si donatori më i madh, për Kosovën ka qenë dhe është vendimtare në të gjitha proceset e rëndësishme që ka kaluar dhe po kalon vendi ynë, për këtë gjë qytetarët e Kosovës dhe Qeveria e vendit janë mirënjohës dhe falenderues”, theksoi Ministri Besim Beqaj.
Ndërsa deputeti i Bundestagut Gjerman, Volkmar Klein e falënderoi ministrin Beqaj për pritjen, duke e siguruar se Gjermani mbetet e përkushtuar në përkrahje të Kosovës dhe vazhdim të bashkëpunimit në sektorë të ndryshëm.
Deputeti Klein gjatë takimit me ministrin Beqaj ishte i shoqëruar nga Ambasadori i Gjermanisë së Kosovë, Christian Heldt dhe Shefi i zyrës së KAS-it për Kosovë, Johannes Rey.