Me qëllim të nxitjes së start-up-eve me ide inovative në tema të ndryshme bankare në tregun e Kosovës, iniciuar nga Banka Raiffeisen është lansuar programi “Elevator Lab Challenge”, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast është organizuar një diskutim me temën “E ardhmja e bankimit – rëndësia e inovacionit”.
Në lansimin e këtij programi, përveç ndërmarrësve dhe bashkëpunëtorëve, ka marrë pjesë edhe ministri i Ndërmarrësisë dhe Inovacionit.
Kreu i MNI-së, Besim Beqaj tha se janë në përfundim të hartimit të legjislacionit dhe strategjisë për rregullimin e inovacionit në Kosovë.
“Puna e Inovacionit është e ardhmja, por është edhe një sfidë pasi mendimi ekonomik duhet të ndryshojë. Ministria tanimë është në fazën finale të përgatitjes së aspektit legjislativ dhe strategjik. Sfida jonë ka qenë që inovacioni është problem për me u financu çka ne synojmë me ligj të rregullojmë është prej fushës se ku kemi inkubatorë e deri tek ekskubatorë. Mjete financiare ka të mjaftueshme, mbi bazën e absorbimit nuk ka aq kapacitet absorbues sa kemi pritë pasi idetë nuk janë të strukturuara. Kërkojmë ndihmën e të gjithë sistemit sepse jemi ministri e re, jemi vetë start-up”.
Albulena Xhelili Berisha, përfaqësuese e Bankës Qendrore të Kosovës, apeloi për një bashkëpunim më të madh mes bankave për të arritur rezultate.
“Është shumë vështirë me qenë rregullator në këtë kohë me ndryshime të tilla drastike. Qëllimi kryesor është me nxitë edhe me mirëmbajtë sistemin bankar. I mirëpresim iniciativa të tilla si kjo e Raiffaisen-it, presim një ndërveprim më të madh mes banakave në sistemin e pagesave por edhe një ndërveprim si Gjirafa dhe kompanitë e tjera potenciale, sepse edhe ato edhe pse fillimisht u panë si sfida, u pa që nuk arritën me pengu sistemin bankar. Është një hapësirë e pashfrytëzuar nga bankat. Ne si BQK do premtojmë që nuk do të paraqesim pengesa në aspektin rregullativ dhe do të hapim të gjitha mundësitë që me u me zhvillu sistemin”.
Ndërsa Mergim Cahani nga Gjirafa para të pranishmëve prezantoi sfidat me të cilat është përballur si ndërmarrës i ri.
Ai tha se në fillim janë përballur me sfida kryesisht për shkak se kanë krijuar diçka të re të panjohur në Kosovë e rajon.
“Sfida jonë ka qenë që ne jemi fokusu si treg në tregun lokal dhe rajonal. Në fillim me i kriju disa produkte dhe dikur e pamë se nuk mundemi me i ba vetë krejt dhe aty fillum me bashkëpunu me kompanitë e tjera”.
Uranik Begu, drejtor i ICK-së, tha se pasi kanë studiuar tregun kanë hasur në probleme të shumta me të cilat përballen ndërmarrësit e rinj, por edhe kompanitë.
Andaj sipas tij, ICK-ja ka shërbyer si ndërmjetës në këtë fushë.
“Na kemi qëllimin që të gjthë ata që kanë ide të mos përjashtohen, por të kenë mundësi që t’i zhvillojnë ato ide edhe më tutje. Roli ynë është zhvilluar ndër vite, sepse kërkesa për shërbime tona rritet.
Robert Whright, drejtor i bankës Raiffeisen, tha se për të digjitalizuar sistemin bankar duhet të ketë ndërveprim në mes të të gjitha palëve të përfshira në këtë aspekt.
“Ndryshimi më i madh është jo sa i përket teknologjisë, por përkushtimit për ta ndryshuar sistemin e bankimit.
Ne jemi që të bëhemi pjesë e shërbimeve digjitale. Na nevojiten rregullore po ashtu edhe palët e treta që ofrojnë shërbime apo pajisje dhe mund të jemi pjesë e këtij procesi, kështu që nuk ka vetëm një palë që mund ta bëjë digjitalizimin dhe çka është më e rëndësishmja është ekonomia të ketë më pak kesh para në dorë.
Dmth punëtorët ende paguhen me para në duar. Ka ende shumë për t’u bërë, por teknologjia është po ashtu një çështje.
Raiffeisen Bank tani ofron shërbime digjitale dhe IT shërbime dhe potencialisht personat që përcjellin shërbimet digjitale tregojnë se gjërat duhet të ndryshohen”.
Programi “Elevator Lab Challenge” do ta hapë fazën e aplikimit më 23 prill. Ky aplikim do të jetë i hapur për të gjitha ndërmarrjet nga Kosova të cilat kanë ide inovative në fushat e analizave të avancuara, shërbimeve bankare për biznese, teknologji të investimit dhe tregtisë, e të tjera.
Tetë bankat e rrjetit RBI në Evropën Qendrore dhe Lindore do të mbështesin programin “Elevator Lab”në sfidat lokale, duke e bërë programin më të madh të EQL-së.
Përveç Bullgarisë, ekosistemet teknologjike në Shqipëri, Bjellorusi, Kosovë, Rumani, Rusi, Serbi dhe Sllovaki gjithashtu do të trajtohen në mënyrë specifike.
Fituesit përkatës të tetë “Challenge Lab Labs” vendasë do të marrin pjesë në gjysmëfinalen e grupit të gjerë “Elevator Lab” dhe kështu do të kenë mundësi të jenë pjesë e top 15 finalistëve në Vjenë në shtator 2018.