Taksa ishte reagim emotiv manipulues për ata që serbët dhe Serbinë e përjetojnë, për shumë arsye, si makth. Ky është kualifikimi që politologu Belul Beqaj i ka dhënë vendimit të Qeverisë së Kosovës për ngritjen e taksës prej 10 në 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, shkruan sot “Koha Ditore”.
Vendimi ishte nxjerrë një ditë pasi Kosova dështoi të bëhet anëtare e INTERPOL-it, si pasojë e një fushate agresive të Serbisë. Në intervistën dhënë “Kohës Ditore”, Beqaj ka thënë se taksa nuk është në shërbim të shtetit e as që do ta shpëtojë pushtetin. Sipas tij, vendimi i taksës, deri në vendimin e ri, do të kthehet shumë shpejt si bumerang ndaj shtetit. Ai ka folur për dy efektet “kundërthënëse” të taksës. Sipas Beqajt, ajo ka kthyer bashkësinë ndërkombëtare kundër Kosovës; si dhe ka ngritur mbështetjen e popullit për Qeverinë Haradinaj, “nga ata që e paguajnë bukën 10 centë më shtrenjtë se para vendosjes së taksës, ndërsa për shkak të ‘legalizimit’ të kontrabandës ‘Plazma’ keksin më lirë se më parë”.
Teksa ka komentuar zbutjen e Haradinajt dhe mundësinë që ta pezullojë masën për t’i dhënë shans arritjes së marrëveshjes, Beqaj ka thënë se, nuk është turp të pranohet publikisht se vendimmarrja e lidershipit politik të Kosovës fillon dhe përfundon në Ambasadën amerikane.