Si për të dëshmuar nivelin teknik që ka, Fatos Beqiraj të martën mbrëma realizoi një tjetër gol të bukur për skuadrën izraelite, Maccabi Netanya.
Në ndeshjen e parë të çerekfinales së Kupës së Izraelit, sulmuesi kosovar realizoi golin e vetëm në fitoren 1:0 të Maccabi Netanya ndaj Maccabi Petak Tikva, shkruan sot Koha Ditore.
Ai mori top në krahun e majtë dhe u nis drejt zonës. Me driblim mjeshtëror u fut mes dy lojtarëve, e kaloi edhe një tjetër, para se të gjuante mes dy lojtarëve të tjerë për të dërguar topin në rrjetë.
Ky moment i madh për sulmuesin e fuqishëm erdhi kur nëpër botë ende po qarkullonin pamje të magjisë që bëri në një ndeshje në fundjavë. Ato pamje kanë vazhduar të shfaqen edhe të mërkurën e do të vazhdojnë të jenë pjesë e faqeve të ndryshme në internet edhe për shumë kohë.
Në ndeshjen ndaj Hapoel Beer Sheva, të luajtur të shtunën, Beqiraj bëri atë që rrallë kush mund ta ketë bërë deri më tash. Kaloi topin mes këmbëve të katër lojtarëve rresht për një periudhë prej vetëm katër sekondash.
Ishte në gjysmëfushën e kundërshtarit, me topin në pronësi dhe me prekje të lehtë e futi atë në mes të këmbëve të katër lojtarëve kundërshtarë, para se topin ta merrte një bashkëlojtar i tij.