Beqiraj ka pritur më shumë se tri vjet për golin e dhjetë me Malin e Zi

Prishtinë | 09 Sht 2020 | 09:09 | Nga Ekonomia Online

Fatos Beqiraj ka pritur më shumë se tri vjet për golin e dhjetë për Malin e Zi. Dhe goli i dhjetë erdhi në një moment shumë të rëndësishëm për përfaqësuesen e Malit të Zi.

Sulmuesi kosovar realizoi të martën mbrëma në minutën e 93-të të ndeshjes ndaj Luksemburgut, që i takoi Ligës C të Ligës së Kombeve. Mali i Zi fitoi 1:0 falë golit të Beqirajt nga penalltia.

“Gjatë e kam pritur këtë golin e dhjetë. Sikur kjo shifër ishte pengesë për mua. Më në fund e kam kaluar, jam shumë i lumtur që kam shënuar për fitore”, ka thënë Beqiraj, që mban rekordin për paraqitje te Mali i Zi.

Beqiraj ishte aktivizuar si zëvendësues. Nuk ishte paraparë të gjuante penalltinë, nëse ajo do të sigurohej.

“Përzgjedhësi ka caktuar lojtarët që do të gjuajnë penallti. Në terren ishin edhe Hakshabanoviq dhe Saviq, ndërsa Jovetiq doli. Ndaj Hakshabanoviqit ishte shkaktuar penalltia, ndërsa ai më tha që të marr topin. Natyrisht që ka pasur presion. Portieri shkoi drejt topit, por gjuajtja ishte precize. Çdo gjë përfundoi mirë”, ka shtuar Beqiraj.

Ai kishte realizuar së fundi për Malin e Zi më 1 shtator të vitit 2017.

Me 71 ndeshje është lojtari me bindshëm më së shumti paraqitje te Mali i Zi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme