Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka thënë se do ta votojnë marrëveshjen për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, dhe aneksin e dakorduar nga dy presidentët, por jo edhe raportin e Shpejtim Bulliqit.
Ai ka deklaruar se për ta sqaruar këtë çështje janë duke zhvilluar takime me shefat e grupeve tjera parlamentare dhe ambasadorin amerikan Greg Delawie, njofton Klan Kosova.
“Jemi duke kontaktuar me grupet tjera parlamentare rreth asaj që kemi shfaqur si shqetësim. Edhe sot jemi takuar me ambasadorin amerikan, sepse mendojmë se mënyra e formulimit të projektligjit ka bërë që të ketë kontradikta të vetvete. Do të marrë pak kohë sqarimi i këtyre gjërave”.
“Ne si LDK duam ta votojmë marrëveshjen e 2015-ës dhe deklaratën e dy presidentëve, por jo edhe raportin e Shpejtim Bulliqit. Nuk mund të votohet edhe raporti edhe marrëveshja. Sa i përket disa transformimeve, nuk flas për to, por besoj që po shihet se pa LDK-në nuk mund të shkojë përpara ky vend”.